Pronari i “Fundamentit” me falëndërim special për punëtorët: Kontributi, përkushtimi dhe respekti juaj janë vlera që i çmoj pafund
Pronari i kompanisë së famshme për përpunimin e mermerit dhe granitit “Fundamenti”, Bashkim Halili, në kremten e 50-vjetorit të lindjes, ka bërë falënderim special për punëtorët e tij.
Në këtë ditëlindje jubilare, Halili ka thënë se punëtorët në kompaninë e tij nuk janë vetëm kolegë pune, por pjesë e familjes sonë të madhe.
“Kontributi, përkushtimi dhe respekti juaj janë vlera që i çmoj pafund”, ka thënë veç tjerash pronari i “FUndamentit”.
Postimi i plotë i Bashkim Halilit:
Mbrëmja e djeshme do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës sime. Në 50-vjetorin tim pata fatin dhe nderin ta festoj i rrethuar nga familja, bashkëpunëtorët, shokët dhe punëtorët e kompanisë sonë Fundamenti, të cilët ma hijeshuan këtë natë në mënyrën më të bukur të mundshme.
Nga zemra dua t’i falënderoj të gjithë për praninë, respektin, urimet, organizimin dhe atmosferën e jashtëzakonshme që krijuat. Prania e secilit prej jush e bëri këtë jubile edhe më të veçantë dhe më dha një ndjenjë krenarie e mirënjohjeje që vështirë përshkruhet me fjalë.
Një falënderim i veçantë dhe publik shkon gruan time per kete befasi te kendeshme dhe për mikun tonë Shefket Musliu, i cili me zemërgjerësi na e hapi Kullën e tij dhe na mundësoi ta kalojmë këtë mbrëmje të mrekullueshme në një ambient kaq të bukur e tradicional. Mikpritja e tij ishte shembull i bujarisë dhe respektit.
Po ashtu, faleminderit të gjithë punëtorëve dhe stafit të kompanisë Fundamenti. Ju nuk jeni vetëm kolegë pune, por pjesë e familjes sonë të madhe. Kontributi, përkushtimi dhe respekti juaj janë vlera që i çmoj pafund.
Ky 50-vjetor nuk ishte thjesht një ditëlindje, por një dëshmi e miqësisë, familjes, bashkëpunimit dhe dashurisë njerëzore. Këtë natë do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës.
Zoti ju bekoftë të gjithëve me shëndet, lumturi dhe mbarësi.
Me shumë respekt dhe mirënjohje,
Bashkim Halili

