Pse s’po respektohet vendimi për lirimin e mësimdhënësve me probleme shëndetësore?

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) Rrahman Jasharaj  ka folur për personelin e arsimit të cilët janë prekur me COVID-19 si dhe për vendimin e Ministrisë së Arsimit për mësimdhënësit të cilët kanë probleme shëndetësore do të lirohen nga procesi mësimor.

Jasharaj tha se situata në sistemin arsimor para universitarë është stabil sa i përket numrit të të infektuarve me COVID-19, nga personeli arsimor.

Ai tha se deri më tani numri i të prekurve nga personeli arsimor me COVID-19, nuk është i madh.

“Përveç asaj që deri tani është publikuar lidhur me shkollën ‘Faik Konica’, dy paralele të ndara të Besisë dhe dy raste në shkollën fillorë ‘Bajram Curri’, të Istogut, kemi dhe tri raste në Suharekë, të gjitha të ditura nga java e kaluar. Këtë javë nuk kemi informacion se ky numër mund të ketë lëvizur, dhe kjo na bën të kuptojmë se situata në sistemin arsimor para universitare është e qetë, nën kontroll dhe task forcat në shkollat dhe drejtorit arsimore janë duke e bërë punën e tyre. Ajo që ne po angazhohemi më shumë është që përmes kryetarëve të shoqatave sindikale ta përcjellim situatën që të jenë të garantuar kushtet optimale për mbrojtjen e nxënësve dhe mësimdhënësve me dezinfektues dhe çështje të tjera, ndërsa taks forcat po kryejnë punën e tyre dhe nëse paraqiten raste atëherë ata e dinë na bazë të versioneve që i ka përcaktuar MASH-i, çfarë duhet vepruar”, ka thënë ai per Telegrafin.