Punon automekanike: ‘S’ma nin hiç’

Kosova është një vend patriarkal që i ka të ndaluara shumicën e punëve për gratë. Për një grua, është më e kollajshme të bëhet politikane se sa të bëhet shofere autobusi apo edhe… automekanike. Megjithatë, një shembull krejtësisht të kundërt me rrethanat tona, e prandaj edhe shumë frymëzues mund ta gjejmë te Dorentina Qerimi.

Dorentina nga Ferizaji punon bash si automekanike. Pra, 25 vjeçarja i ndreq veturat e qytetarëve kur prishen, e me këtë i ndreq edhe paragjykimet e përhershme seksiste që thonë se “gratë s’marrin vesh në vetura”.

Nacionalja shkoi ta vizitonte Dorentinën për ta ndarë me lexuesit e saj këtë shembull frymëzues.

“Shumë e vogel jam kanë kur babi ma ka kërku një çelës për kerr, ia kam çu e kam ditë se çka po lypë, pa më tregu ai se cilin çelës taman” – e nis rrëfimin e saj automekanikja.

Pasioni për profesionin

Por, si nisi pasioni i saj për profesionin?

‘’Qysh prej shkollës së mesme e kam dashtë këtë profesion. Kam punu nonstop me babin, kam qenë ndihmëse e tij në sallonin e tij,” – shprehet ajo.

E megjithatë, edhe në këtë rrëfim frymëzimi bie llafi te paragjykimet për të cilat folëm. Pra, Dorentina s’e kishte aspak të lehtë zgjedhjen e kësaj rruge.

“Një andërr ma kanë lanë në gjysmë nxënësit, profesorat e drejtorat e shkollës teknike të mesme në Ferizaj. Krejt kjo nga paragjykimet për mu. Herën e parë kur më kanë pa njerëzit që vetura e tyne po rregullohet prej durve të një femre, më kanë thanë ik bre shko bani puntë e shpisë, nuk është kjo punë për femra,” – thotë ajo.

Sidoqoftë, karakteri ngulmues i del në pah kur tregon se si i ka tejkaluar këto fjalë seksiste.

“Po unë jam mundu me i bindë klientët, që une di me ba këtë punë mirë. Iu kam afru duke iu dhënë këshilla dhe një llojë afërsie më shumë se punëtorët e tjerë”

“E sot, më presin në rend, më thojnë “Ti po du me ma ba kerrin regllazhë,”

DJ dhe shankiste

 “Fillimi ka qenë shumë i keq për mu. Psh unë punoj me një koleg bashkë, edhe gjithmonë kur ardhshin mishteria e lypshin ato. Thojsha vetmevete pse po e lypin atë, kur te dytë njejtë punojmë” – rikujton seksizmin e myshterinjëve ajo.

 “Ka pas momente që me vullnet e çdo sen ma kanë nalë në fytë. Më kanë demotivu. Ma herët i kam marrë afër zemre komentet, por tash s’ma ninë hiç”.

Dhe, e jashtëzakonshmja s’ndalet te kapërcimi i seksizmit për të punuar si automekanike. Ajo ka edhe dy profesione tjera.

“I kam edhe dy profesione të tjera, shankiste edhe DJ. Në sezonë është kulmi me DJ. Nëpër kanaxhexhe kënaqet njeri.” – i tha ajo gazetares.

“Gjithmonë më kanë tërhjekë do profesione ma interesante,” – përfundoi duke e kanalizuar paksa habinë.

Kujtojmë se Kosova vazhdon të përballet me një numër shumë të vogël grash në fuqinë e kualifikuar punëtore, derisa shumica e këtyre pak punëve janë të vendosura kryesisht nëpër zyre.