Pushteti në Medvegjë e lë familjen shqiptare pa rrymë dhe ujë prej 6 javësh

Familja Aliu nga Sijarina e Medvegjës, që nga 8 janari ka ngelur pa rrymë dhe pa ujë. 60-vjeçari Ismet Aliu ka treguar se deri te mungesa e rrymës elektrike ka ardhur si rezultat i motit të lig, që ka mbretëruar në fillim të muajit janar.

Sipas tij, nga bora dhe pemët rrugët nuk janë pastruar deri te shtëpia e tij, gjë që ka pamundësuar rregullimin e rrjetit të energjisë elektrike.

“Si është e mundur që rruga është lënë pa u pastruar 500 metra deri te shtëpia ime. Të gjithë fqinjët e mi serbë e rregulluan problemin e furnizimit me energji elektrike, ndërsa unë jo, vetëm se nuk u pastrua rruga” – ka rrëfyer Ismet Aliu për Luginalajm.

Ai ka treguar se përveç mungesës së elektrikut, ka ngelur edhe pa ujë të pijshëm, me që furnizimi varet nga rryma.

Edhe përkundër që është ankuar në shumë institucione, përfshirë edhe nënkryetarin e Komunës, i cili i ka premtuar dy herë me rradhë se ky problem do të rregullohet, kjo nuk ka ndodhur për një muaj e gjysme deri tani.

Familja Aliu nga Sijarina vazhdon të jetojë si në kohën e mesjetës, pa rrymë dhe pa ujë, që nga 8 janari.

Kryefamiljari u bënë thirrje të gjitha institucioneve dhe parfaqësuesve politikë, që të ndërmarrin ndonjë veprim, drejt zgjidhjes së problemit me të cilin po ballafaqohet, sepse dritat dhe uji janë parakushte të domosdoshme për jetë./Mediafokus.info