Qentë endacakë, problemi i pazgjidhur i Kosovës

Qentë endacakë vazhdojnë të jenë një ndër problemet permanente me të cilin është përballur Prishtina, por edhe qytetet e tjera në Kosovë.

Miliona euro janë shpenzuar nga qeveria dhe komunat e Kosovës për trajtimin e qenve endacakë, por pa ndonjë sukses.

Çdo natë, qytetarët që kalojnë nëpër oborrin e Universitet të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, përballen me qentë endacakë.

E rreziku nga numri i madh i qenve nëpër rrugë, u përmend edhe në një kabllogram të lëshuar nga Ambasada e Amerikës në Kosovë.

Mes tjerash u tha se “stafi i Ambasadës janë të rrezikuar nga sulmet e qenve endacakë, kur ata janë të uritur”.

Për kabllogramin e Ambasadës amerikane raportuan edhe mediat ndërkombëtare.

Për qentë endacakë që mund të takosh edhe në pjesë tjera të qytetit, nuk është bërë mjaft nga institucionet për trajtimin e tyre.

Nga viti 2017, trajtimin e qenve e ka bërë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që kishte marrë 1.3 milion euro nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj./rel/