Qindra kosovarë dynden drejt Shqipërisë për festën e flamurit
Qindra kosovarë, me autobusë dhe mjete private të udhëtimit, që në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë drejtuar për në Shqipëri, për të qenë pjesë e festimeve të ditës së pavarësisë.
Ata kanë kaluar me procedurë të përshpejtuar në doganën e Morinës, një ditë pas mbledhjes së dy qeverive ku shpallën në Elbasan lehtësime kufitare.
Qytetarët shprehen se nuk ka zgjatur më shumë se tre minuta procedura në kufi, por thonë se nuk ka nevojë që të ketë kufij fare mes dy shteteve.
Policia në Morinë ka marrë masa për të mos krijuar radhë të panevojshme në kufi duke lehtësuar kalimin e qytetarëve të Kosovës drejt Shqipërisë.
Sa i takon masave anti-covid, ato mbeten në fuqi dhe qytetarët duhet të paraqesin ose pasaportën e vaksinimit, testin negativ të kryer në 72 orët e fundit, ose dëshmi që kanë kaluar Covid në 6 muajt e fundit.

