Qyteti ku hoxha e pastron kishën e prifti xhaminë

Gjilani njihet komunë shembull sa i përket tolerancës ndërfetare e ndëretnike, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Ish-drejtuesit e kësaj komune shpeshherë kanë deklaruar se diversiteti fetar, etnik e politik, konsiderohet si vlerë.

Një kontribut për këtë ‘kapërcim’ e kanë dhënë edhe prijësit fetarë.

Në vitin 2015, tre prijësit fetarë në Gjilan, Naim Aliu nga Bashkësia Islame, Don Dominik Qerimi nga Kisha Katolike dhe Naim Bllaca, nga Kisha Protestante “Ringjallja”, u bënë bashkë në fshatin e vetëm të Gjilanit që ka kishë e xhami – Dunav.

Së bashku e pastruan xhaminë “Mulla Idriz Gjilani” (1936) dhe kishën “Shën Ana” (1938), duke e përçuar mesazhin e madh se bashkëjetesa funksion duke e respektuar të drejtat e njëri-tjetrit.

Duket se Gjilani mbetet komuna e vetme që ka punuar shumë për të arritur në këtë nivel të tolerancës ndërfetare.

Këto aktivitete, që për synim kishin kultivimin e dialogut ndërfetar e ndëretnik dhe respektimin e diversitetit, ishin organizuar nga ish-kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri.

Krejt këta hapa nuk kaluan pa u vërejtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Përfaqësuesi special i sekretarit gjeneral të OKB’së, Zahir Tanin, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, e pati paraqitur gjendjen reale të paqes, tolerancës e bashkëpunimit në mes komuniteteve.

“Në tremujorin e fundit pata mundësinë ta takojë kryetarin e Komunës së Gjilanit, zotëri Lutfi Haziri. Unë kam vërejtur zotime të mirëfillta për promovimin e bashkëpunimit në mes të komuniteteve, për zgjidhjen e problemeve të vërteta në jetën e përditshme dhe për plotësimin e nevojave të njerëzve. Unë nuk kam hasur në retorikë politike, por në punë serioze që për synim ka ndërtimin e një shoqërie tolerante”, pati thënë ai në OKB./Mediafokus.info/