Radoiçiqin e lanë të lirë, ne na arrestuan për kritika ndaj Vuçiqit – avokati Stojkoviq shpërthen ndaj drejtësisë serbe
Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, ka reaguar pas lëshimit të urdhërarrestit për Milan Radoiçiqin, duke kritikuar ashpër mënyrën se si institucionet e drejtësisë në Serbi e kanë trajtuar rastin e tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Stojkoviq ka akuzuar gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në këtë proces se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nën ndikimin e pushtetit, ndërsa ka kërkuar shkarkimin e tyre.
Sipas avokatit, urdhërarresti ndaj Radoiçiqit dëshmon problemet në trajtimin e mëhershëm të rastit nga drejtësia serbe.
Ai ka rikujtuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe dyshohet për organizimin e sulmit në Banjskë dhe për armëmbajtje ilegale, por pavarësisht rëndësisë së akuzave, ndaj tij nuk ishte caktuar masa e paraburgimit.
Stojkoviq e ka krahasuar këtë trajtim me përvojën e tij personale, duke thënë se e njëjta prokurori dhe gjykatë kishin vendosur paraburgimin ndaj tij për shkak të publikimeve në rrjetet sociale lidhur me mundësinë e rrëzimit të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Ai pretendon se drejtësia serbe ka përdorur standarde të dyfishta, duke marrë masa të ashpra ndaj kritikëve të pushtetit, ndërsa ka treguar tolerancë ndaj personave të akuzuar për vepra të rënda.
Në reagimin e tij, avokati ka përmendur edhe rastin e dy shtetasve kinezë, të cilët i cilëson si spiunë, duke pretenduar se gjykata i kishte liruar nga paraburgimi dhe i kishte vendosur në arrest shtëpiak, prej nga më pas ishin arratisur.
Stojkoviq ka këmbëngulur se përgjegjësia për këto vendime duhet të nisë nga vetë sistemi i drejtësisë, duke kërkuar që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë nënshkruar vendimet përkatëse të largohen nga pozitat e tyre.
“Qëndrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në pozitat e tyre pas gjithë kësaj është test nëse Serbia ka ligje”, ka shkruar ai, duke shtuar se nuk ka asnjë arsyetim për veprimet e tyre.
Në fund, Stojkoviq ka theksuar se emrat e personave përgjegjës për këto vendime nuk duhet të kenë vend në sistemin e drejtësisë serbe.

