Pas dy ditësh ankthi, 60-vjeçari që u zhduk në Gjilan kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi

Dy ditë shqetësimi dhe kërkimesh për një familje nga Dobërçani i Gjilanit kanë marrë fund me një lajm të mirë.

Hazir Kastrati, 60-vjeçari që ishte larguar nga shtëpia pa telefon dhe nuk kishte dhënë asnjë lajm për vendndodhjen e tij, është kthyer pranë familjes në gjendje të mirë shëndetësore, mëson Gazeta Sinjali.

Kastrati ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 15 nëntorit, rreth orës 19:00, ndërsa familjarët kishin humbur kontaktet me të.

Të shqetësuar për fatin e tij, të afërmit kishin nisur ta kërkonin dhe kishin kontaktuar familjarë të tjerë, por pa arritur të mësonin se ku ndodhej.

Shqetësimi ishte edhe më i madh për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, pasi 60-vjeçari kishte të planifikuar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale gjatë asaj jave.

Më 16 nëntor, djali i tij, R.K, e kishte denoncuar zhdukjen në Polici, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e babait.

Pas raportimit, rasti ishte referuar për trajtim te hetuesit rajonalë, në konsultim me Prokurorinë e Shtetit.

Por mbrëmjen e 17 nëntorit erdhi lajmi që familja po e priste.

R.K është paraqitur sërish në Stacionin Policor në Gjilan, ku ka konfirmuar me deklaratë me shkrim se babai i tij ishte kthyer në shtëpi dhe ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Rrethanat e largimit dhe vendndodhja e tij gjatë kësaj periudhe nuk janë sqaruar në informacionet e siguruara.