Vogëlushja shqiptare e pagoi me jetë shqyerjen e fotografisë së Titos nga libri i leximit
Hanife Berisha ishte nxënëse e klasës VII në shkollën tetëvjeçare “Skënderbeu” në fshatin Zarbincë, komuna e Bujanocit, kur e kishte shqyer nga libri i leximit fotografinë e liderit komunist jugosllav, Tito.
Më 19 maj 1987, me t’u kthyer nga shkolla në shtëpi, ajo u përshëndet me nënën dhe anëtarët e familjes, doli prapa shtëpisë dhe vari veten!
E frymëzuar nga ngjarjet e kohës, në mendjen e saj ishte akumuluar urrejtje dhe ndjenjë armiqësie ndaj Titos!
Me ta parë, kujdestari i klasës, njofton drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e shkollës, të cilët, me tortura psikike e fizike dhe me kërcënime se do t’ia arrestojnë prindërit, e shtyjnë vogëlushen Hanife që t’ia merr jetën vetes.
Me kërcënime e shantazhe, drejtoria e shkollës i ka detyruar prindërit e Hanifes, që rasti tragjik të mbetet në heshtje.
Viteve 1990-ta, familjarët e saj, kanë bërë disa përpjekje, për ta ngritur këtë problem në organet e kohës, por pa sukses deri në ditët e sotme
Jo vetëm ish-mësuesit, por edhe ndonjë ish kolege e kolegë të saj, ish nxënës, për motive makabër, kanë bërë çmos që tragjedia e kësaj vajze të mbetet në heshtje.
Para 3 vitesh, një familjar i Hanifes, përmes miqsh kërkon të kontaktojë me mua dhe kur shkova në Kosovë u takova, m’i dha të dhënat me gojë e me shkrim, ndërsa unë, postova një shkrim në FB, të cilin disa portale e botuan.
Nga disa që e kanë njohur vajzën dhe familjen e saj, ka prej tyre që punojnë në institucione në Kosovë, kanë bërë presione të llahtarshme që ai shkrim të hiqet nga publikimet, çka edhe në shumë raste ka ndodhur!
Me sugjerimet e të afërmve të vajzës, kam hulumtuar dhe tani, posedoj të dhëna argumentuese, për t’ia deponuar hetuesisë në Kosovë, por edhe në Bujanoc.
Për dijeni! Unë atë vajzë dhe familjarët e saj nuk i kam njohur dhe s’kam kurrfarë lidhje familjare apo tjetër.
Unë vetëm dëshiroj, si njeri e si shqiptar, të angazhohem në zbardhjen e rastit dhe dihet adresa e fajtorëve që çuan në vetëvrasjen e vogëlushes Hanife Avdullah Berisha, më 19 maj 1987, nga Zarbinca e Malësisë së Bujanocit!
Njerëzit e asaj ane, më kanë thënë se, ka kohë që kanë kërkuar që: Hanife Avdullah Berisha të shpallet dëshmore e kombit, por nuk kanë hasur në mirëkuptim!/Sejdi Sopi/Mediafokus.info


