Raka s’e ka një përgjegje të vetme pse ka rënie kaq të madhe të rasteve me Covid

Derisa para një muaji Kosova regjistronte mbi 500 raste të reja të infektuara me COVID-19, së fundmi numri i rasteve të reja ka rënë nën 50.

Gjatë ditës së djeshme në vend u raportuan 14 raste të reja të infektuara me këtë virus, rreth 500 më pak se që janë raportuar para një muaji.

Mikrogiologu Lul Raka ka thënë për Express se në uljen e rasteve të reja me COVID-19 dhe numrit të viktimave nga ky virus kanë ndikuar shumë faktorë.

Ai përmend zbatimin e masave parandaluese nga qytetarët, uljen e kontakteve me njerëzit e vaksinimin.

“Në këtë epilog kanë ndikuar shumë faktorë, siç janë: zbatimi i masave parandaluese nga vetë qytetarët e Kosovës; ulja e kontaktit të njerëzve, si rrjedhojë e masave kufizuese; përmirësimi i motit, që ndikon në qëndrimin e njerëzve në hapësira të hapura, ku mundësia e infektimit është shumë më e ulët sesa në mjedise të mbyllura e të dendura; prekja e një numri të konsiderueshëm të njerëzve deri tani (edhe pse ende nuk e dimë numrin e përafërt të tyre); vaksinimi, edhe pse simbolik ka mbuluar kategoritë e të moshuarve dhe shumë personave me sëmundje shoqëruese, të cilët e kanë shkallën më të lartë të vdekshmërisë dhe spitalizimit dhe mbikqyrja nga autoritetet përkatëse (policia e inspektorati). Se në çfarë përqindje kanë ndikuar këta faktorë veç e veç, nuk e di”, ka deklaruar ai.

Raka ka thënë se gjatë ditëve në vijim pritet përshpejtim i dinamikës së vaksinimit, gjë që mund të ketë rol shumë të rëndësishëm në përballjen me pandeminë.

Përndryshe, ai është shprehur se është koha që të rishikohen edhe masat kufizuese të marra.