Rapsodi Berisha: Historia ime me babain e dëshmorit Ardian Qarri, 56 vite më parë
(Kjo tokë gjithmonë ka pas burra që para së gjithash kanë menduar e punuar për atdhe)
Teksa po shëtiste në Kamenicë me disa shokë, rapsodit të njohur kosovar, Xhemajl Berisha, do t`i binte në sy busti i dëshmorit Ardian Qarrit, shkruan Mediafokus.info
Mbiemri i tij do t`ia rikujtonte një ngjarje të para 56 viteve, kur si i ri, së bashku me shokun e tij Ramadan Krasniqi (nuk bëhet fjalë për këngëtarin Dani), kishin kënduar në këtë shesh.

Masa ishte entuziazmuar aq shumë nga këngët e tyre me motive patriotike, sa nuk po i zinte hapësira.
Ka një arsye pse Xhemajl Berisha e rikujton atë ditë të vitit 1968, ku ka bërë edhe disa foto me shkas nga Hogosht i Dardanës (Kamenicës), asokohe dhe tani, tek i njëjti mur.

“Ishte viti 1968, muaji prill. Na ftuan në një fejesë në fshatin Lajçiq, me kolegun Ramadan Krasniqi (foto bardh e zi). Udhëtuam me autobus deri në Hogosht e pastaj në këmbë vazhduam për në Lajçiq. Ishte e enjte, ditë tregu në Hogosht. Hyjmë te një berber për t`u rruar kolegu im. Unë isha i ri dhe ende s`i kish rënë b risk fytyrës”, nis rrëfimin Berisha.
Ai tregon se çka ndodhi më tutje në këtë rrugëtim, i cili do të mbetet një moment i paharruar në kujtesën e tij.

“Disa qytetarë kur na panë me vegla, vërshuan pas nesh, paso asokohe ishin shumë të rrallë shahirat e këngës në Kosovë dhe gjithandej. Lokali i berberit ishte vend i ngushtë për t`i zënë të gjithë të interesuarit për të na dëgjuar si këndonin. Na lutën të dalin tek ëmbëltorja, e cila ishte e ngjitur me të. Sa më kujtohet tani, pronari ka qenë tetovar. Edhe aty u mbush hapësira. Pronari na luti të dilnin jashtë sepse kishte frikë që mund t`i thyheshin tavolinat nga turma. Populli ishte i përmallueshëm për këngë”.
Përjetësimi i historive të popullit në këngë, bëri që masa të rritej e emocionohej akoma.

“Dolëm jashtë lokalit. Disa të rinj na i sollën dy postaja të lëkurës nga xhamia aty afër, të cilës po i bëhej minarja. Postajat na i shtruan në murin ku jam ulur në foto, ku kënduam mbi një orë. Këngë të gjata nga ngjarjet dhe vuajtje e kombit. Njëra ndër to ishte edhe kënga e Zejnës nga fshati Kranidell, një mësuesi që ishte vrarë nga Murat Shavelli”.
Berisha rrëfen si çka ndodhi më tutje, pas përfundimit të këtij ‘programi’ të pa planifikuar, teksa po i priste personi i cili duhet t`i shoqëronte deri në Lajçiq, në lagjen Dakaj, meqë këta nuk e dinin rrugën.
Dy policë i kishin dëgjuar duke kënduar, derisa po vështronin situatën aty pranë, tek një shkollë. Pasi përfunduan programin, njëri prej tyre i thirri dhe i pyeti prej nga ishin dhe këta i treguan.
“Unë jam prej Drenice. Këto këngë i di mirë, por ju mos i këndoni nëpër hapësira publike se ua ngeh veshët” – u kishte thënë polici duke qeshur.
Xhemajl Berisha kishte mësuar se polici që i “qortoi” quhej Rasim Drenica, tani i ndjerë, me prejardhje nga Graiçefci i Suharekës, me mbiemrin Qarri.
Këtë mbiemër do t`ia rikujtonte busti i dëshmorit Ardian Qarri në Dardanë, 56 vite më vonë.

“Sipas mbiemrit mendova se dëshmori mund të ishte nga fshati Qarr, mbi Karaçevë. Por, u befasova. Mësova se dëshmori ishte i biri i ish-policit Rasim Qarri (Drenica) nga Grajçefci dhe përnjëherë m`u kujtua viti 1968 dhe fjalët e tij këshilluese. Rashë në kontakt me të birin tjetër të Rasimit, Florim Qarrin, edhe ky luftëtar i lirisë së Kosovës. Adrianit dëshmor i bëmë një këngë me djalin tim, Besartin dhe sot jemi miq me këtë familje”.
Por, përse deshi ta rikujtojë këtë histori rapsodi Xhemajl Berisha.
“Desha të tregoj se secila kohë i ka pas heronjtë e vetë, të cilët në rrethanat e caktuara janë mundua për këtë tokë dhe zemra u ka rrahur shqip”, thotë Berisha, siç është edhe rasti i ish-policit dashamirës asokohe, me ne të rinjtë, i cili atdheut i dha dy luftëtarë, njëri prej tyre dëshmor.
Berisha, në vitin 1968, si fëmijë, në Gjilan e kishte kënduar këngën “O sa bukur në Shqipni”. Në një program të shkollës Normale.
Berisha jeton në Gjilan, ndërsa me prejardhje është nga Smallusha e Lipjanit./Mediafokus.info
