Rashiq ironizon me BE-në: Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë deri më 2068!

Ish-ministri serb në qeverinë e Kosovës dhe ish-këshilltari i Albin Kurtit, njëherit kryetar i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq e ka quajtur ‘improvizim’ dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu në kohën e fundit është vetëm improvizim, nuk ka ndonjë dialog të mirëfilltë, dialog i cili e ka për detyrë sikur që u dashtë me pas njerëz të terrenit, ose më mirë me thënë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, përkundrazi e ka vetëm një improvizim dhe vetëm po vazhdon i tillë”, është shprehur Rashiq.

Ai ka ironizuar edhe me zvarritjen e këtij procesi tash e sa vite.

Rashiq ka thënë se duke parë ecurinë e mbarëvajtjes së tij, dialogu nuk do të përfundojë deri në vitin 2068 dhe për këtë e fajëson Bashkimin Evropian.

“Duke e ditur aftësinë e Bashkimit Evropian në këtë rast burokracinë e saj unë po pres që dialogu të vazhdojë deri në vitin 2068. Por, këtë po e them me ironi”, ka thënë kryetari Rashiq për FrontOnline.