Rasti ‘Panda’: Fëmijët tanë i vranë serbët, jo shqiptarët – nëna e viktimës së rastit kërkon përgjegjësi nga shteti
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në rastin e njohur si “Panda” në Pejë, Ljubica Trifoviq, ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes së vitit 1998, duke thënë se familjarët “e dinë të vërtetën”, por se institucionet vazhdojnë të heshtin, transmeton express.
Në një intervistë për portalin serb “Nova.rs”, Trifoviq ka thënë se ka kërkuar disa herë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por sipas saj, ai nuk i ka pritur familjarët e viktimave, pavarësisht premtimeve.
“Ne dimë gjithçka, fjalë për fjalë gjithçka, por kryesori hesht. Tri herë ka thënë se do të na thërrasë dhe nuk e ka bërë. Kam thënë të shkojmë të gjithë para Qeverisë, të ulemi aty dhe të mos largohemi. Por kjo nuk ndodhi”, ka deklaruar ajo.
Trifoviq ka kërkuar që të zbardhet se kush qëndron pas vrasjes së gjashtë të rinjve në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, duke thënë se për familjet e viktimave më e rëndësishme është të dihet urdhërdhënësi.
“Do ta padis shtetin. Le të thonë të vërtetën. Vuçiqi ka deklaruar se publiku do të tronditet kur ta mësojë të vërtetën. Kush i vrau fëmijët? Për ne nuk ka rëndësi vetëm kush e kreu veprën, por kush e dha urdhrin”, ka thënë ajo.
Ajo ka pohuar se përgjegjësia për këtë rast është bartur nga njëra palë te tjetra dhe ka kërkuar që autoritetet serbe të dalin publikisht me informacionet që, sipas saj, i posedojnë.
“Është e vështirë të thuhet publikisht se këta fëmijë i vranë serbët. Por ne këtë e dimë prej kohësh. Dua vetëm të flas me Vuçiqin”, është shprehur nëna e njërit prej viktimave.
Duke folur për lidhjen që ajo sheh mes rastit “Panda” dhe zhvillimeve të mëvonshme në Kosovë, Trifoviq ka thënë: “Po të mos ishte ‘Panda’, nuk do të ishte as Reçaku. Të gjithë e dimë këtë. Për shkak të ‘Pandës’ u shpall Reçaku, i cili sipas mendimit tim nuk ishte ashtu siç u paraqit”.
Ajo ka deklaruar se prej fillimit ka kundërshtuar versionin se të rinjtë në kafenenë “Panda” ishin vrarë nga shqiptarët.
“Thashë se nuk i kanë vrarë shqiptarët, dhe shumë më thanë: ‘Si mund ta thuash këtë si nënë?’. Por pas çdo vrasjeje ku nuk ka prova dhe ku kalojnë vite pa u zbardhur, dihet se kush qëndron pas saj”, ka thënë ajo.
Trifoviq ka akuzuar institucionet e Serbisë se kanë heshtur për këtë rast dhe ka deklaruar se beson se pas vrasjes qëndrojnë struktura të sigurisë së shtetit.
“Prindërit kërkojnë vetëm drejtësi dhe që të mos heshtet më. Ne duam të dimë pas 28 vitesh. A do t’ua lëmë fëmijëve tanë që ata ta zbulojnë të vërtetën?”, ka thënë ajo.
Rasti “Panda” ndodhi më 14 dhjetor 1998 në një kafene në Pejë, ku u vranë gjashtë të rinj serbë. Ngjarja ka mbetur një nga rastet më të diskutuara të periudhës së luftës në Kosovë, ndërsa hetimet dhe versionet për autorët kanë ndryshuar ndër vite.

