Reagon edhe Daut Haradinaj: Sot u shkel dinjiteti i Republikës sonë

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj liturgjisë ortodokse serbe të mbajtur gjatë ditës së sotme në Kishën që ndodhet në kampusin e Universitetin të Prishtinës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se i respekton liritë fetare por liturgjia e mbajtur sot në një kishe të ndërtuar mbi idetë fashiste, është shkelje e dinjitetit të Kosovës.

“Me gjithë respektin për liritë fetare, liturgjia ortodokse serbe e mbajtur sot në kishën e kontestuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, kishë kjo e ndërtuar mbi idetë fashiste millosheviqiane, është shkelje e dinjitetit të Republikës sonë e mbi të gjitha ofendim ndaj qytetarëve tanë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje që urgjentisht të reagojë qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

“Qeveria dhe Komuna të reagojnë menjëherë!”, është shprehur Haradinaj.