Reagon Raka: Nuk jemi konsultuar për lehtësimin e masave, jam kundër

Pas reagimit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, kundër vendimit të Qeverisë në detyrë për lehtësimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19, ka ardhur edhe reagimi i mikrobiologut Lul Raka.

Raka përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se as ai e as bordi këshillëdhënës nuk është konsultuar për lehtësimin e masave.

Ai ka shtuar se është kundër lirimit të masave në këtë kohë, derisa vendimin e Qeverisë e quan “lehtësim politik të masave”.

Shkrimi i plotë:

Të nderuar/a,

Sot, në media e pashë një shkresë zyrtare të qeverisë, në të cilën kërkohet lirimi i masave kufizuese “ në bazë të rekomandimeve të IKSHPK dhe Bordit Këshilldhënës”.

E shoh të arsyshme të jap një sqarim se as unë, si kryesues i Bordit dhe asnjë anëtar i Bordit nuk është konsultuar për një propozim të tillë.

Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtritjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit , çdo “lehtësim politik i masave” mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë. Prandaj, unë jam kundër lirimit të masave në këtë kohë./Mediafokus.info/