Reflektimi i munguar

Dr Elez Elezi

(Përplasja verbale mes Visar Ymerit dhe prof. dr. Sadri Ramabajës tërhoqi vëmendjen e publikut jo për përmbajtjen e argumenteve politike, por për mënyrën se si të dy protagonistët e menaxhuan situatën.)

Ajo që duhej të ishte debat idesh, u kthye në duel personal dhe përshkallëzues.

Gjithçka nisi kur Ymeri i tha Ramabajës: “Ajo që thua për mua s’ka rëndësi hiç.”

Ky nënçmim i parë uli menjëherë nivelin e debatit. Ramabaja reagoi: “Edhe për mua është njëjtë.”

Në atë moment, debati mund të kishte marrë kthesë të qetë, por Ymeri i hodhi “karburant zjarrit” me ironinë e tij: “U tuta mos po thue diçka mirë për mua se isha ndi keq.”

Ironia pas përçmimit ndezi tensionin edhe më shumë.

Debati u thellua me përmendjen e një postimi të Hysamedin Ferajt, ku ai e lidhte Zotin me profetët dhe ironizonte guximin e tyre.

Ymeri reagoi: “Këta marrin guxim se janë profetë” edhe Ramabaja mendon se është profet ne kët studio ndërsa Ramabaja iu përgjigj: “Unë nuk jam profet këtu në studio të Debat Plus-it.”

Në vend që situata të qetësohej, Ymeri vazhdoi me përçmim: “Socialdemokrati po flet për burrni, shihe ti si kupton këto koncepte.”

Nga aty, debati u kthye krejtësisht në përplasje personale.

Ramabaja reagoi ashpër: “Ti je student i padiplomuar, tip narcisoid, analfabet politik. Ulu dhe qetësohu.”

Ymeri u kundërpërgjigj: “Unë nuk jam oportunist si ti që shet dinjitetin.”

Në fund, ai u ngrit në këmbë dhe e braktisi studion.

Kupa mbushet: Me përshkallëzim, ironi dhe përçmim

Ironia dhe përçmimi i Visar Ymerit nuk kanë qenë vetëm episodik gjatë debatit, por një akumulim i vazhdueshëm që nga emisionet e mëparme.

Ky tension i grumbulluar, i përzier me ironi të shpeshta, krijoi situatën ku Ramabaja reagoi ashpër — si të thuash, “kupa mbushet dhe derdhet”.

Ky përshkallëzim tregon qartë se reagimet e ashpra nuk lindin vetëm nga një incident i vetëm, por janë rezultat i një rrjedhe të vazhdueshme provokimesh dhe nënçmimesh.

Në këtë kuptim, ligji i akcionit dhe reaksionit i Newton-it aplikohet jo vetëm në veprimet e veçanta, por edhe në fenomenet shoqërore që grumbullojnë tension me kalimin e kohës.

Ligji i akcionit dhe reaksionit në debat

Ky incident mund të analizohet edhe përmes ligjit të Newton-it për akcionin dhe reaksionin: çdo veprim ka një reagim të barabartë dhe të kundërt.

Në këtë rast, veprimi provokues i Ymerit shkaktoi një reaksion proporcional nga Ramabaja, si formë vetëmbrojtjeje.

Në fenomenet shoqërore, si në debatet publike, ky ligj metaforik shpjegon logjikën e shkak-pasojës: provokimi gjeneron reagim, dhe mungesa e reflektimit e përshkallëzon situatën.

Reflektimi i munguar

Çdo pjesëmarrës duhet të pyesë: “Çfarë bëra unë që e nxiti tjetri këtë reagim?”

Në këtë debat, mungesa e reflektimit personal dhe vazhdimi i ironisë e kthyen situatën nga një përballje ideore në spektakël emocional.

Reagimi i publikut

Pas emisionit, rrjetet sociale shpërthyen me kritika dhe komente. Publiku nuk diskutoi më për temën, por për sjelljen dhe përplasjet personale, duke treguar se forma e komunikimit shpesh dominon mbi përmbajtjen.

Mësime për debatet publike

1. Reflektimi personal dhe qetësia janë shenjë pjekurie.
2. Vazhdimi i përçmimit dhe ironisë përshkallëzon konfliktin.
3. Publiku nuk mban mend fjalët, por sjelljen dhe mënyrën si menaxhohet debati.
4. Analogjia me ligjet e fizikës tregon se çdo veprim ka një reagim të kundërt — edhe në debatet shoqërore.

Debati publik nuk fiton asgjë nga nënçmimet apo talljet. Ajo që fiton respekt është qetësia dhe argumenti i mirëstrukturuar.