Reuters raporton për incidentin në kanalin e ujit – Serbia e mohon se është e përfshirë, Gjuriq akuzon Kurtin
Agjencia e lajmeve “Reuters” ka raportuar për sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok, që ndodhi mbrëmë. Raportimin e ka filluar me përpjekjet për të siguruar furnizimin me ujë dhe energji elektrike, si dhe rritjen e sigurisë, që u rrezikuan pas këtij sulmi.
Sulmi është cilësuar si akt terrorist, e për këtë autoritetet kanë drejtuar gishtin kah Serbia.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç ka mohuar përfshirjen e Beogradit në këtë sulm, duke i cilësuar si “akuza të pabaza”, madje ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti për përfshirje, pa asnjë provë, raporton Express.
Janë përmendur edhe masat shtesë që janë marrë nga Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.
Për Reuters ka folur edh eish-Drejtori i KEK, Arben Gjukaj, i cili ka thënë se ndërprerja e ujit në atë lokacion do të ndikojë edhe në prodhimin e energjisë.
“Ata që e bënë këtë sulm nuk janë thjesht kriminelë të zakonshëm, kjo bëhet nga një strukturë e mirëorganizuar që e di shumë mirë se ndërprerja e ujit në atë lokacion do të ndikojë gjithashtu në prodhimin e energjisë,” ka deklaruar Gjukaj, duke shtuar “Situata është shumë kritike”.
Kryeministri Albin Kurti iu drejtua qytetarëve përmes një konference për media në orët e vona.
Për këtë sulm, ai drejtoi gishtin nga Serbia.
“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në Kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, deklaroi Kurti.
Ai përmendi sulmet e fundit me granata dore në stacionin policor në Zveçan dhe hedhjen e mjetit shpërthyes afër Komunës së Zveçanit.
Kurti tha se një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga ky shpërthim dhe se furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, shtoi Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet e njoftimet nga institucionet e Republikës së Kosovës
“ Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë, për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveçse Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelët e paqes e kriminelët e luftës që e urrejnë Republikën tonë dhe popullin tonë mbarë”, tha Kurti.
Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen ndaj vendit, teksa paralajmëroi takim me Komandantin e KFOR’it dhe mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Le të jemi bashkë me institucionet e shtetit, me policinë tonë, me organet tona zyrtare të cilat do të na njoftojnë në kohë reale për gjithçka. Këta kriminelë e terroristë nuk do të na mposhtin neve kurrë, sepse fuqia e ligjit të drejtë në Republikën demokratike të Kosovës do të ngadhënjejë sërish”, tha Kurti.
Për shpërthimin, reagoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se partnerët ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu “për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, shkroi Osmani.