Rexhaj i VV-së: Kurti po e analizon mundësine e formimit të Qeverisë me koalicion
Lëvizja Vetëvendosje i sheh shumicën e përfaqësuesve të pakicave jo-serbe në qeverinë e re dhe nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me një nga tri subjektet parlamentare shqiptare.
Skenari ka ndërruar. Nga plani për një qeveri si e vetme, pa PDK-në, LDK-në apo AAK-në, Vetëvendosje tash synon realizimin e planit B.
Partia e kryeministrit në largim thotë se është e hapur për bashkëpunim me një nga partitë e opozitës së deritashme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj tha të mërkurën se partia është duke e shqyrtuar mundësinë për një bashkëpunim me partitë opozitare.
“Apo do kemi ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt politik”, tha Rexhaj për portalin FrontOnline.
Deputeti nga Prizreni u shpreh i bindur se shumica e përfaqësuesve të pakicave jo-serbe do të jenë pjesë e një qeverie të ardhshme të udhëhequr nga Albin Kurti.
“Unë mendoj se në shumësi.. pra, pothuajse të gjithë që do i përfaqësojnë interesat e minoriteteve, do jenë pjesë e qeverisë”, tha ai.
Duke folur për krijimin e institucioneve, ai përmendi gjithashtu rëndësinë e krijimit të kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit.
“Të zgjidhet Kuvendi, kryetari i Kuvendit dhe në afatin 15 ditor pra të votohet edhe qeveria”, u shpreh Rexhaj.
Rexhaj ka shtuar se, megjithëse qëllimi është të arrihet formimi i Qeverisë deri më 15 prill, ka ende kohë për analizuar mundësitë.
“Ne do donim që me 15 prill të votohet edhe Qeveria, por deri atëherë ka kohë dhe Kurti, si kryetar i VV-së, do i analizoi numrat e qeverisë dhe në këtë mënyrë mendoj se po analizon edhe mundësinë e qeverisjes”, ka shtuar ai.

