Rikujtim: Enver Muja ishte themelues i arkës së shtetit
Tri dekada të jetës së tij, Enver Muja punoi për vendin, që nga Këshilli i Financimit, në kohën e okupimit e deri te administrata komunale, të cilën e drejtoi në dy mandate, si kryeshef ekzekutiv, shkruan Mediafokus.info.
Enver Muja ishte i lidhur ngushtë me lëvizjen për liri, pavarësi dhe demokraci, duke bartur detyra të rëndësishme, të përgjegjshme e shpeshherë të rrezikshme për kohën.
Enveri ka qenë njëri prej themeluesve të arkës së shtetit, njëri prej bashkëthemeluesve të Këshillit për Vetëfinancim e më vonë edhe si kryeshef ekzekutiv, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike dhe institucionale në Gjilan.
Si ekonomist me përvojë, Muja ka kontribuar në organizimin e pushtetit paralel, gjatë kohës së okupimit, në veçanti në organizimin e Këshillit për Financim. Ishte njohës shumë i mirë i Financave.
Enveri është shquar për qetësinë dhe urtësinë e tij, por mbi të gjitha për bashkëpunim dhe për profesionalizëm.
Ka qenë gjithmonë i gatshëm të marrë mbi vete detyra dhe t’i ndajë ato me kolegët e tij, për t’i realizuar për një qëllim të përbashkët.
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e 22.12.2000, duke u bazuar në Rregulloren 2000/45 mbi vetëqeverisjen e komunave të Kosovës, kishte emëruar Enver Mujën kryeshef ekzekutiv, pozitë kjo ku ai do të rizgjidhet edhe për një mandat tjetër.
Me ligjin e ri për qeverisjen lokale, Komunat nuk kanë më kryeshef ekzekutiv.
Enver Muja ka ndërruar jetë në tetor të vitit 2014.
Vajza e tij, Jehona e ka rikujtuar sot atë me shumë ndjeshmëri.
“12 vite pa ty, babi, më mësuan se malli mund të jetë më i rëndë se vetë dhimbja”./Mediafokus.info

