Rikujtim për Tefik Zymberin
Lulzim Zymberi
Sot, 63 vite më parë, në lagjen e Bilinicve në Vërbicë të Zhegocit u lind një trim që quhet Tefik Zymberi, nga babai Vehbiu dhe nëna Hanife. Tefiku ishte më i vogli prej fëmijëve në familje.
Si çdo fëmijë tjetër edhe Tefiku u edukua nga familja e tij me vyrtyte të larta njerëzore.
Qysh në moshën 6-vjeçare fillon shkollën në fshatin e tij. Pas përfundimit të fillores me sukses të shkëlqyeshëm ai vazhdon shkollimin e mesëm në Gjilan dhe pastaj studimet në Fakultetin Filologjik dega Gjuhë dhe letërsi shqipe.
Gjatë studimeve Tefiku shoqërohet edhe me studentë të shumtë, por natyrisht zgjedh më të mirët, ata të cilët kishin aktivitet ilegal politik.
Gjatë demonstratave të vitit ’81 dhe ’82 Tefiku është pjesëmarrës dhe njëkohësisht edhe i burgosur politik.
Pas daljes nga burgu si i burgosur politik, Tefiku vazhdon aktivitetin e tij për çështjen shqiptare si anëtar i LPK-së.
Edhe pse ishte i diplomuar, pushteti i atëhershëm nuk e linte të punojë deri në shtator të ’90 kur për herë të parë Tefiku merr ditarin për të punuar me nxënës.
Ai ishte punëtor i madh si mësimdhënës, ishte i respektueshëm nga kolegët dhe njerëz të tjerë.
Tefikun e gjejmë edhe tek shoqata “Nënë Tereza” si një humanitar i madh, kryeredaktor i gazetës ‘VATRA’, anëtar i redaksisë te gazeta ‘BASHKIMI’ etj.
Por më e rëndësishmja është të përmendim se Tefiku, qysh me daljen e UÇK-së në skenë, s’ndalet së punuari sidomos në Zonën Operative të Karadakut.
Tefiku së bashku me bashkëshorten Hanumshahe Abdullahu-Zymberi punuan natë e ditë për zgjerimin e UÇK.
Ata mendonin se sa më i madh që të jetë aktiviteti i UÇK-së, liria e Kosovës do të jetë më e shpejtë, por fatkeqësisht me datën 15 prill 1999, në altarin e lirisë bien dëshmorë Tefiku dhe Hanumshahja me ushtarë të tjerë.
Dy dëshmorët e lirisë lanë mbrapa dy fëmijët e tyre, Diellën dhe Atdheun që ta gëzojnë lirinë së bashku më popullin e Kosovës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta dhe veprat e tyre.

