Rinia e Pogragjës së Gjilanit vendos 300 goma mburojë, për t’i penguar aksidentet e rënda

Një nga kthesat më të këqija në rrugën për Pogragjë, e njohur si Kthesa e Madhe, ku ka pasur edhe raste tragjike, të dielën është rrethuar me 300 goma nga ana e lumit, me të cilat është krijuar muri mbrojtës me shpresë që do të pengojë aksidentet e rënda, raporton Mediafokus.info.

Aksioni i së dielës është organizuar nga Shoqata “Pogragja” dhe Këshilli i fshatit, me iniciativë të Avdil Islamit dhe Elhami Durmishit, të cilit iu përgjigjen mbi 20 të rinj pogragjas.

Rreth 300 goma u vendosen në këtë kthesë të rrezikshme, sidomos gjatë stinës së dimrit, në gjatësi 40 metra, të cilat i dhuroi i riu, Menderim Sherifi.

Kthesa e Madhe, ku rruga ndërron kahje prej 90 shkallë, është vend i rrezikshëm, sidomos gjatë stinës së dimrit, ku kohë më parë patën humbur jetën tre qytetarë.

Me  dëshirën që aksidentet fatale të mos përsëriten, të dielën rinia pogragjase ndërmori këtë aksion për ndërtimin e një muri mbrojtës me tre radhë gomash, të cilat janë lidhur mes vete dhe janë mbushur me dhe.

Për një kohë, të rinjtë gjilanas janë ndihmuar edhe nga pjesëtarët e KFOR-it turk, të cilët u ndalën dhe ndihmuan në shenjë përkrahje për punën vullnetare që po bëhej aty.

Përfaqësuesit e shoqatës “Pogragja” dhe ata të Këshillit të fshatit i kanë bërë thirrje komunës, që edhe në pjesë tjera të kësaj rruge, të vendosë mburoja.

Ndryshe, këtë vit, ky është aksioni i tretë që rinia e Pogragjes ka organizuar për mirëmbajtjen e kësaj rruge./Sami Durmishi/Mediafokus.info/