Roli i të ushqyerit në parandalimin e sindromës metabolike

Ajshe Ibrahimi – Nutriciste/Dietologe

Sindroma metabolike është një grup i faktorëve të rrezikut që rrisin mundësinë e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabetit.

Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, një person mund të ketë sindromë metabolike nëse ka tre ose më shumë nga këta faktorë:

– Obezitet qendror (dhjamosje të shtuar në bark/bel).

– Diabet mellitus ose një histori të fortë familjare të diabetit mellitus.

– Karakteristika të tjera klinike të “rezistencës ndaj insulinës” duke përfshirë ndryshimet e lëkurës të acanthosis nigricans (“lëkurë e errët” në pjesën e pasme të qafës ose nënsqetullave) ose etiketa të lëkurës (zakonisht në qafë).

Si mund të parandalohet sindroma metabolike

Humbja e peshës, stërvitja dhe ndryshimet dietike mund të ndihmojnë në parandalimin ose ndryshimin e sindromës metabolike.

Gjithashtu kjo sindromë mund të parandalohet duke bërë disa ndryshime në zakonet tuaja të të ngrënit.

“Ndryshimi i mënyrës se si hani mund të bëjë një ndryshim të vërtetë në kontrollin e sindromës metabolike.”

Ushqimet që duhen shmangur

Si hap i parë, këta persona duhet të përqendrohen në një plan ushqimi të shëndetshëm, duke bërë që të reduktojnë dhe të largojnë ushqimet e padobishme dhe të pashëndetshme.

Përfshihen këto ushqime

-Karbohidratet e rafinuara si mielli i bardhë, ushqimet me sheqer dhe pijet e ëmbla me sheqer, të cilat janë të ulëta në fibra dhe në lëndë ushqyese. Këto ushqime shkaktojnë rritje të niveleve të sheqerit në gjak dhe kontribuojnë në mbingrënie dhe obezitet.

-Yndyrat e ngopura që gjenden në ushqime si mishi i kuq me dhjam, produktet e qumështit me yndyre te larte dhe shumë produkte të pjekura.

Ato mund të rrisin nivelet e kolesterolit LDL (“i keq”) dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

-Ushqimet e shpejta si fast food, produktet e mishit si proshuta, sallama, suxhuku janë te rrezikshme sepse kontribuojnë në paraqitjen e sëmundjeve te zemrës.

Ato janë gjithashtu të larta në natrium, gjë që kontribuon në presionin e lartë të gjakut.

Ushqimet e përpunuara si artikuj të paketuar dhe ushqim të shpejtë shpesh përmbajnë karbohidrate të rafinuara, sheqerna të shtuara, shumë kripë dhe yndyra të ngopura jo të shëndetshme.

Si duhet të ushqehen personat me sindromën metabolike

Rol me rëndësi luan menaxhimi i vakteve, siç janë: mëngjesi, dreka dhe darka si dhe dy mes shujta.

Personat me sindromen metabolike duhet të fokusohen në dietën mesdhetare, sepse është e pasur me fruta, perime, ushqim deti dhe vaj ulliri.

Hulumtimet e kanë lidhur këtë stil të të ushqyerit me humbjen e peshës dhe një rrezik më të ulët të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe diabetit të tipit 2.

Një dietë e ekuilibruar e shëndetshme duhet të përfshijë:

Perime

Shtoni më shumë perime – veçanërisht perime jo niseshte si zarzavate sallatë, brokoli dhe speca.

Kur zgjidhni perime me niseshte, zgjidhni ato që kanë më shumë fibra, si fasulet, thjerrëzat dhe qiqrat.

Fruta

Frutat janë një burim i mirë i vitaminave dhe mineraleve. Frutat edhe pse përmbajnë sheqer, këto sheqerna natyrale kompensohen nga fibrat që gjenden në fruta të freskëta ose të ngrira. Për shkak të fibrave, sheqernat në fruta treten më ngadalë.

Frutat e shijshme me fibra të larta përfshijnë mjedrat, manaferrat dhe dardhat etj.

Drithërat e plota

Ndryshe nga drithërat e përpunuara që janë zhveshur nga lëndët ushqyese, drithërat janë të mira për shëndetin e zemrës.

Ushqimet si buka me grurë integrale, elbi dhe tërshëra mund t’ju ndihmojnë të shmangni shtimin në peshë dhe të ulni rrezikun e diabetit të tipit 2.

Acidet yndyrore omega-3

Mund të ndihmojnë në rritjen e HDL (kolesterolit të mirë) dhe në uljen e LDL (kolesterolit të keq).

Acidet yndyrore gjinden në arra, fara dhe peshq të yndyrshëm si salmoni.