Ymer Latifi, profesori që e vuri veten dhe familjen në shërbim të atdheut 

Tri vite më parë, më 22 nëntor 2019, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta profesori Ymer Latifi (1945), shkruan Mediafokus.info

Ymeri, ndonëse shkollimin e filloi me vonesë, në moshën 10-vjeçare, për shkak të rrethanave familjare, studiemt arriti t`i përfundojë para kohe.

Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike, filloi punën si mësimdhënës në shkollën “Liria” në Pogragjë dhe paralelet e ndara fizike në Llocë (1969-1975).

Gjatë viteve 1975-1976 punoi në Gjimnazin ‘’Zenel Hajdini’’ në Prishtinë, kohë kjo kur njëherësh po i ndiqte edhe studimet në Fakultetin e Filologjisë.

Nga viti 1976 deri në vitin 1979, ka punuar profesor në Gjimnazin ‘’Zenel Hajdini’’ në Gjilan, ndërsa gjatë viteve 1979-1982, për arsye familjare, kthehet të punojë në fshatin e lindjes, në Pogragjë.

Profesorët e atëhershëm, Menduh Begolli, Sali Qilirgjiu, Demush Shala, Amet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Rexhep Hoxha dhe të tjerë e kishin spikatur djaloshin nga Gjilani si student të dalluar, të zgjuar dhe të shkathtë, prandaj e inkurajonin që t’i vazhdonte studimet e mëtejme në Universitetin e Prishtinës.

Një djalosh i pasionuar pas librit, një student i dalluar dhe më vonë një profesor i përkushtuar ndaj punës me nxënës, nuk kishte se si të mos i binte në sy pushtetit të kohës, i cili ndërhyri dhe e largoi nga arsimi si të papërshtatshëm ideo-politikisht.

Shkak për këtë u mor edhe burgosja e Nazmi Hoxhës, i cili si udhëheqës i grupit të Gjilanit në demonstratat e 1981-shes u arrestua dhe u dënua me 15 vite burgim.

Ymeri, si mik dhe bashkëpunëtor i tij u vlerësua i papërshtatshëm që të punonte në arsim, meqë po i frymëzonte nxënësit me dashuri ndaj çështjes kombëtare.

Pas diferencimit dhe përjashtimit nga arsimi (1982), për tri vjet mbeti pa punë, derisa u angazhua në Kooperativën Bujqësore në Pogragjë, si inkasant dhe daktilografist, deri në vitin 1991, kur iu rikthye punës me nxënës, pasi realiteti në Kosovë kishte ndryshuar dukshëm në raport me Serbinë. U pensionua në vitin 2010.

Një jetë të tërë, Ymeri u përball me sfida e vështirësi, me ndjekje e tortura nga politika e policia serbe, e cila njëherë e diferencoi dhe e largoi nga puna, ndërsa më vonë e ndoqi dhe e torturoi nën pretekstin për veprimtari armiqësore, armë mbajtje pa leje dhe arsye të tjera.

Masat represive nuk e thyen Ymerin në përcaktimin e tij atdhetar, përkundrazi e bënë edhe më të vendosur në luftimin e padrejtësive dhe gjakimin e lirisë për vendin e tij.

Përherë ishte në ballë të iniciativave dhe aktiviteteve me karakter kombëtar, ashtu që në kohën kur askush nuk guxonte të merrte përgjegjësi, nga frika e pushtetit të dhunshëm serb, Ymeri angazhohet si nismëtar dhe themelues i parë i lëvizjes gjithëpopullore të quajtur LDK, në vitet e 90-ta.

Shtëpia dhe familja e Ymer Latifit në Pogragjë, jo rastësisht ka qenë vendtakim, strehë dhe bazë e luftëtarëve të tri ushtrive shqiptare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, të cilët i priste dhe i përcillte me respekt dhe dashuri të veçantë, për çka është nderuar me mirënjohje e lëvdata.

Ymeri ishte mishëruar me luftën për çlirimin e vendit dhe prandaj krahun e luftës e mbështeti më vonë edhe në aktivitetin politik, duke u angazhuar në Partinë e Progresit Demokratik, ku u zgjodh kryetar i parë i nëndegës në Pogragjë dhe fshatrat përreth, për dy mandate.

Pas një angazhimi disavjeçar, baca Ymer, me modestinë dhe dëshirën që e karakterizonte, vendosi të tërhiqej, në mënyrë që roli udhëheqës në proceset e rëndësishme politike, t`iu lihet në dorë të rinjve.

Këtë gjest mund ta bënte vetëm një njeri si ai, i cili me këshillat, me mësimet dhe veprimet e tij në dobi të atdheut dhe çështjes kombëtare në përgjithësi, do të mbetet një shembull i mirë.

Ymer Latifi e vuri veten dhe familjen e tij, pa asnjë hamendje, në shërbim të vendit dhe popullit, në të gjitha betejat për çlirimin e trojeve shqiptare.

Prej tre vitesh ai pushon në botën e përtejme.  /Mediafokus.info