Rrëfehet 17-vjeçari që i mbijetoi masakrës në Velipojë

Një tjetër dëshmi është bërë publike mbi ngjarjen e 27 qershorit në Velipojë ku ndërruan jetë 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë.

17-vjeçari Elmidin Dyli, i mbetur i plagosur në këtë përplasje mes dy familjeve Ferracaku dhe Gocaj për disa shezlongë, ka rrëfyer si ka ndodhur ngjarja dhe kush qëlloi i pari me armë zjarri.

Elmidin Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut, i cili është një nga viktimat e kësaj masakre ka treguar se të dyja palët në konflikt ishin të armatosur, por pala tjetër kishte automatikë.

“Punoja tek gjyshi Kujtim Ferracaku si kamarier dhe pasi kam mbaruar punën rreth orës 23:30 kemi dalë me stafin e lokalit para hotel “Fantazisë” për të pirë një kafe dhe aty kam dëgjuar debate që vinin përtej lokalit të Hasanit dhe siç kemi qenë bashkë kemi shkuar tek vendi në fjalë.

Aty kam parë Hasanin që ishte në tavolinë me një person duke sqaruar debatin mes tyre, kishte edhe persona të tjerë të pranishëm. Në këtë kohë ka shkuar aty edhe Kujtimi, gjyshi im dhe ka lëshuar disa fjalë drejt tyre “janë marre këto punë, kush jeni ju” dhe aty kam dëgjuar krisma arme që më kanë ardhur në krah pas meje dhe kam parë gjyshin që është rrëzuar në tokë, shkruan albeu.

Aty kanë filluar edhe të shtëna të tjera me armë zjarri. Armë ka patur gjyshi Kujtimi, Hasan Ferracaku dhe Abedin Ferracaku, djali i Hasanit kurse pala tjetër ka patur automatik. Kur ata kanë qëlluar gjyshi i është kundërpërgjigjur”, ka thënë Dyli.