LGBTQI provokon me pikturën ku dy malësorë puthen në buzë dhe mbajnë breza me ngjyrat e ylberit

Sipas autores që prezantohet me emrin e artit “orangegirl”, vepra e titulluar Kiss (Puthja) përkufizohet si: prekja me buzë në shenjë të shprehjes së dashurisë, rrespektit apo përshëndetjes. Dhe më poshtë sqarimi i saj për veprën kontroverse:

“Kush thotë se ajo është e rezervuar vetëm për gjininë e kundërt?!

As dashuria dhe ndjenjat nuk janë të rezervuara vetëm për gjininë e kundërt!

Dashuria për gjininë e njëjtë nuk është e re, si në botë, as në vendin tonë. Fakte të ndryshme e trajtimi i saj në këngë popullore nga rapsodët na tregojnë se kjo dashuri ka egzistuar edhe në të kaluarën e vendit tonë vetëm se, për dallim prej sot, ajo është shtypur nga të tjerët dhe është mbyllur në vetvete nga ta.

Kjo shtypje nuk është inegzistente as sot. Ajo është e njëjta vetëm se tani quhet HOMOFOBI.

Në një shoqëri moderne, as termi homofobi nuk duhet të egzistojë, lëre më fenomeni i tillë.

Kjo vepër, e realizuar në bashkëpunim me OJQ “Center for Equality an Liberty” (CEL), ka për qëllim paraqitjen e vlerave tona si shoqëri. Vetëm duke e njohur e pranuar të kaluarën tonë, mund të bëjmë përpara. Prandaj, homofobia si fenomen duhet të zhduket dhe të ndërtohet një shoqëri tolerante që njeh bindjet e të tjerëve pa stigmatizim e paragjykime, një shoqëri që nuk ushqen urrejtje ndaj të tjerëve.

Të shërbejë Muaji i Krenarisë si pikënisje e këtij ndryshimi shoqëror. Secili njeri ka të drejtë të jetojë si të dojë, prandaj ta kuptojmë këtë.

Për një shoqëri më tolerante!”

Ashtu siç pritej vepra artistike ka provokuar reagime të ashpra dhe me fjalor të ulët, që sulmojnë autoren dhe komunitetin LGBTQI.

“Keni fyer dinjitetin e historis e tradites shqiptare. Doni me u q… ne b…. me njëri-tjetrin vazhdoni ama mos perzieni me historinë e traditën”; S’po kuptoj çka e keni ngatërru traditën shqiptare me orientim seksual; Është e frikshme kur mendoj se fëmijët e mi do të rriten duke më thirr prindi 1 apo prindi 2. Kjo ishte e neveritshme të thuash hapu dhe është pak…jam homofobe e pranoj jam kundra gjithë kësaj; Ke ofendur traditën shqiptare me këtë post të ndyre etj., etj. këto janë disa prej shumë komenteve në postimin e fotove në rrjetet sociale.

Pak javë më parë përfaqësues të komunitetit LGBTQI përcollën edhe në Shqipëri propozimin e bërë në Britaninë e Madhe që të hiqen fjalët “nënë” dhe “baba” dhe në vend të tyre të vihen përcaktimet “prindi 1” dhe “prindi 2”, që shkaktuan shumë zemëratë në shoqërinë shqiptare.