Rreth 5 mijë persona hoqën dorë nga nënshtetësia e Kosovës gjatë vitit 2021

Rreth 5 mijë persona hoqën dorë nga nënshtetësia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2021 dhe morën pasaporta të vende të tjera.

Gjatë dy viteve të fundit, 2020 dhe 2021, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 8573 persona. Sipas të dhënave të cilat i ka siguruar Albinfo.ch nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021 nga shtetësia kosovare janë liruar 4940 persona.

Shtetet me të cilat kosovarët e ‘ndërruan’ shtetësinë e tyre gjatë vitit 2021 janë: Gjermania me 4338 persona, Austria me 433 dhe Sllovenia me 79 persona. Të njëjtat shtete, ndonëse me numër pak më të vogël ishin ato që u dhanë shtetësinë kosovarëve edhe gjatë vitit 2020.

Gjithsej nga 4940 qytetarë që morën pasaporta të vendeve të tjera gjatë vitit që lëmë pas, 2530 ishin meshkuj dhe 2410 ishin femra.

Fakti që mbi 8500 qytetarë kanë ardhur në gjendjen për të hequr dorë nga nënshtetësia kosovare brenda dy viteve të fundit, sipas sociologëve vjen si rrjedhojë e shumë faktorëve, si: papunësia, mungesa e perspektivës, periudha e tranzicionit, mungesa e sigurimeve, mos liberalizimi i vizave, si dhe arsyet individuale apo bashkimi familjar.

Ndryshe, kohëve të fundit është ngritur diskutimi se në sektorin privat po vërehet mungesë e theksuar e punëtorëve të kualifikuar. Ky diskutim nga ngriturshqetësime edhe të njohësve të fushës. Ditë më parë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi kishte deklaruar në media se ekziston mundësia se deri në fund të vitit 2022 të ketë mungesë të fuqisë punëtore në shumë sektorë.

Nga ana tjetër, paga mesatare në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 466 Euro bruto dhe 416 Euro neto. Kjo pagë ishte matur në vitin 2020, ndërsa si rrallë diku në botë, në vend të ngritjes nga viti në vit, kishte pasur rënie nga viti 2019, atëherë kur paga bruto ishte 477 Euro e ajo neto 430 Euro.

Ndërkohë që pagat po ulen, vendet si Gjermania kanë paralajmëruar se kanë mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, dhe rrjedhimisht po kërkojnë emigrantë për të përballuar këtë krizë. Vetëm pak ditë më parë, Gjermania i ka treguar botës se ka mbi 300 mijë vende pune të lira, e ky numër mund të shkojë deri në 1 milion. Mbase edhe kjo duhet të jetë sinjal për autoritetet kosovare, kur edhe sipas të dhënave të mësipërme shihet se shteti gjerman po prin me dhënien e shtetësisë për qytetarët e Kosovës.