Rrugës për në Kosovë humb jetën 19-vjeçari nga Ramjani i Vitisë, Haliti ngushëllon familjen

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Ramjan të Vitisë, pasi 19-vjeçari Dion Emerllahu ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku në Itali.

Sipas njoftimit të këshillit të fshatit Ramjan, familja Emerllahu ishte nisur më 21 korrik nga Franca drejt vendlindjes për pushime.

Dioni po udhëtonte me një automjet të veçantë, ndërsa prindërit e tij me një tjetër.

Aksidenti ndodhi pranë Milanos, ku automjeti që drejtonte 19-vjeçari u përplas me një automjet tjetër.

Pas aksidentit ai u dërgua në një spital pranë Milanos, ku u trajtua për disa ditë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Sipas familjarëve dhe bashkëfshatarëve, Dion Emerllahu ndërroi jetë më 24 korrik 2026, pikërisht në ditën kur mbushte 19 vjeç.

Ai po vinte në Kosovë për të kaluar pushimet dhe për të festuar ditëlindjen.

Lajmin e ka pritur me pikëllim të thellë edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.

Në këto çaste të rënda dhe të dhimbshme, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Emerllahu, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën Dionin.

Asnjë fjalë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes së një jete të re, të ndërprerë para kohe.

Uroj që Zoti t’ju japë forcë, durim dhe kurajë për ta përballuar këtë dhimbje të madhe, thuhet në ngushëllimin e Sokol Halitit.

Komuna e Vitisë e ka bërë publike edhe fotografinë e të ndjerit.