RTK-ja nuk e transmeton Kosovën: Këto kanale televizive e shfaqin ndeshjen

Përfaqësuesja e Kosovës fillon sot rrugëtimin në Ligën e Kombeve, me ndeshjen e parë e cila do të zhvillohet ndaj Qipros në udhëtim. Mirëpo, këtë ndeshje e as ndeshjet tjera të muajit qershor nuk do të mund ta ndiqni në Radio Televizionin e Kosovës.

Pas shumë vitesh, transmetuesi publik shtetëror ka humbur të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të përfaqësueses.

Të drejtat televizive për transmetimin e këtyre ndeshjeve i ka fituar kompania “Digitalb”, e cila ka marrëveshje me kompaninë “ArtMotion” në Kosovë për transmetimin e ndeshjeve.

Përballja e sotme mes Qipros dhe Kosovës përpos në këto dy platforma, sot do të transmetohet edhe në kanalin televiziv “Klan Kosova”, kurse ndeshjet tjera do të jenë të qasshme vetëm në ArtMotion, por jo në RTK.

Në një deklarim për Nacionale, Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Shkumbin Ahmetxhekaj, kishte thënë se RTK nuk kishte aplikuar kur ishte hapur afati për të fituar të drejtat televizive, pasi që kishin mungesa financiare, ndërsa ka shtuar se duhet të fillojnë negocimet me kompaninë ArtMotion.

Gjatë muajit qershor, Kosova do të zhvillojë gjithsej katër përballje, ndaj Qipros, Greqisë, Irlandës së Veriut dhe përsëri ndaj Greqisë.