“RTK-ja pa buxhet nga 1 prilli”, Hoxha publikon emrat: Këta deputetë s’po e kryejnë punën siç duhet
Fadil Hoxha, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Radio Televizionit të Kosovës, ka deklaruar të martën se televizioni publik prej 1 prillit është pa buxhet.
Sipas tij, RTK-ja është lënë në mëshirën e askujt tash e 32 ditë. Për këtë, ai ka fajësuar edhe deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere.
Ai publikoi emrat që përbëjnë këtë komision. Deputetët që janë pjesë e këtij komisioni që sipas Hoxhës nuk po dëshirojnë që të takohen e të kryjnë punë janë: Armend Muja, Jeta Statovci, Enver Haliti, Eman Rrahmani, Visar Korenica, Duda Balje, Mërgim Lushtaku, Avdullah Hoti, Ferat Shala dhe Pal Lekaj.
“Prej 1 prillit RTK është pa buxhet. Per tash e 32 dite Transmetuesi Publik është lënë në mëshirën e askujt. E gjithë kjo për shkak se deputetet e Komisionit për Buxhet e Transfere nuk dojne me u taku e me e kry këtë pune për te cilën janë zgjedhur por edhe për te cilën paguhen”, shkroi ai në Facebook.
Hoxha thotë se “në histori të RTK-së ka ndodhur gjithçka por asnjëherë punëtoret mos me e ditë kur i marrin pagat e tyre për te cilat kane punuar”.
“Besoni nuk ka ndërhyrje me te madhe ne pavarësinë e një Transmetuesi Publik se sa politika me vendos kur me t’i dhënë paratë te cilat te takojnë me ligj. E keni mundësinë qitjani drynin po hajgare mos boni me neve. Ajo çka po me iriton me se shumti është mos-guximi i Bordit me ngrite zërin për kete çështje. Dilni more folni se nuk ka kurrgjë me te keqe e me te dëmshme se nënshtrimi”, shtoi ai.

