Rukije Haliti – Gruaja që hapi rrugën e arsimit dhe emancipimit të femrës shqiptare në Anamoravë

Rukije Haliti – Gjakova zë një vend të veçantë në historinë e arsimit shqiptar në Anamoravë.

Ajo ishte femra e parë shqiptare nga ky rajon që u diplomua në Degën e Historisë, duke u bërë njëherazi ndër pionieret e arsimit dhe të emancipimit të gruas shqiptare në Kosovë.

E lindur në Gjilan në vitin 1945, Rukija rridhte nga një familje e njohur qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ku që në moshë të re u dallua si nxënëse e shkëlqyer.

Në një kohë kur mësimi zhvillohej kryesisht në gjuhën serbe, ajo shquhej veçanërisht në gjuhën dhe letërsinë shqipe, si edhe në histori – lëndë që do ta përcaktonin edhe rrugën e saj jetësore.

Pas përfundimit të gjimnazit, fillimisht u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd.

Megjithatë, për shkak të rrethanave të kohës dhe vështirësive që përballeshin vajzat shqiptare për të studiuar larg vendlindjes dhe në gjuhë të huaj, ajo vendosi të vazhdonte studimet në Universitetin e Prishtinës.

Në Degën e Historisë u dallua për rezultate të shkëlqyera dhe i përfundoi studimet në afat rekord.

Në vitin 1965 u kthye në Gjilan, ku nisi punën si profesoreshë në Shkollën Normale “Skënderbeu”. Përveç përkushtimit në procesin mësimor, ajo e pa arsimin si mision kombëtar.

Me bindje të palëkundur, shkonte nga një shtëpi në tjetrën dhe nga një fshat në tjetrin për të bindur familjet shqiptare që t’i lejonin vajzat të ndiqnin shkollën, duke besuar se arsimimi i gruas ishte themel i përparimit të shoqërisë dhe i forcimit të kombit.

Veprimtaria e saj shpejt i tejkaloi kufijtë e Gjilanit. Në vitin 1967, së bashku me një grup profesorësh, u angazhua në hapjen e paraleles së ndarë të Gjimnazit të Gjilanit në Viti, ku udhëtonte çdo ditë për të zhvilluar mësim në gjuhën shqipe.

Edhe pse ishte e vetmja femër në atë grup pedagogësh, ajo dha një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e brezit të ri, duke ligjëruar historinë kombëtare në një kohë kur kjo lëndë trajtohej me shumë kufizime.

Gjatë demonstratave të vitit 1968, Rukije Haliti u rreshtua në mbrojtje të nxënësve të saj, të cilët përndiqeshin për pjesëmarrjen në lëvizjet studentore dhe kombëtare.

Qëndrimi i saj dëshmoi jo vetëm guxim qytetar, por edhe përkushtimin e një edukatoreje që nuk i braktiste nxënësit në momentet më të vështira.

Në vitin shkollor 1970–1971 kaloi si profesoreshë e historisë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Mirëpo, rrugëtimi i saj i pasur në arsim u ndërpre tragjikisht nga një sëmundje e rëndë.

Më 22 nëntor 1970 ndërroi jetë në spitalin e Shkupit, në kulmin e moshës dhe të veprimtarisë së saj profesionale.

Një nga dëshmitë më prekëse të respektit që gëzonte ishte solidariteti i nxënësve dhe profesorëve të Gjimnazit të Tetovës, të cilët, pasi morën lajmin se ajo kishte nevojë për gjak, udhëtuan vullnetarisht me autobus drejt Shkupit për të dhuruar gjak në përpjekje për t’i shpëtuar jetën.

Rukije Haliti mbetet femra e parë shqiptare nga Anamorava e diplomuar në histori dhe një ndër figurat më të rëndësishme të arsimit shqiptar në këtë trevë.

Kontributi i saj në zhvillimin e shkollës shqipe dhe në emancipimin e gruas shqiptare la gjurmë të pashlyeshme.

Respekti që qytetarët e Anamoravës treguan për të u dëshmua edhe në pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në ceremoninë e varrimit, një ngjarje që ende kujtohet nga brezi i asaj kohe.

Në nderim të veprës së saj, një rrugë në qytetin e Gjilanit mban emrin Rukije Haliti, duke e përjetësuar kujtimin e një edukatoreje që ia kushtoi jetën dijes, arsimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

Rukije Haliti mbetet simbol i dijes, i përkushtimit profesional dhe i guximit qytetar.

Me veprën e saj ajo hapi rrugën për brezat e vajzave shqiptare që ndoqën arsimin e lartë, duke u bërë një prej figurave më të ndritura të historisë së arsimit në Anamoravë./Mediafokus