Ymer Latifi – Profesori që jetoi dhe veproi për atdheun
“Nuk jeni fëmijët e mi nëse nuk i dilni zot vatanit.” – kjo ishte porosia që profesori Ymer Latifi ua përsëriste vazhdimisht fëmijëve të tij, duke e shndërruar dashurinë për atdheun në parimin udhëheqës të jetës së familjes së tij.
Ymer Latifi ka lënë pas kujtimin e një arsimtari të përkushtuar, një intelektuali të respektuar dhe një atdhetari të palëkundur.
Ai lindi më 28 maj 1945 në fshatin Pogragjë, ku kreu shkollën fillore. Arsimin e mesëm dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike i përfundoi në Gjilan, ndërsa Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Edhe pse shkollimin e nisi me vonesë, për shkak të rrethanave familjare, me punë dhe përkushtim arriti t’i përfundonte studimet me sukses. Që në bankat e shkollës fillore u dallua për dashurinë e madhe ndaj librit dhe dijes.
Karrierën e nisi si mësimdhënës në shkollën “Liria” në Pogragjë dhe në paralelet e ndara në Llocë.
Më pas punoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Prishtinë, ndërkohë që vazhdonte studimet universitare.
Profesorët e njohur të kohës, si Menduh Begolli, Sali Qilirgjiu, Demush Shala, Amet Kelmendi, Ramiz Kelmendi dhe Rexhep Hoxha, e vlerësonin si student të talentuar dhe e inkurajonin të vazhdonte rrugën akademike.
Pas kthimit në Gjilan, ai vazhdoi punën si profesor, por përkushtimi ndaj çështjes kombëtare e bëri objekt të ndjekjes nga pushteti jugosllav.
Në vitin 1982, pas procesit të diferencimit politik, u largua nga arsimi si “i papërshtatshëm ideopolitikisht”.
Lidhjet e tij me veprimtarët kombëtarë dhe ndikimi që ushtronte te nxënësit në frymën e dashurisë për atdheun u konsideruan kërcënim nga regjimi i kohës.
Për tri vjet mbeti pa punë, derisa u angazhua në Kooperativën Bujqësore të Pogragjës.
Megjithatë, represioni, ndjekjet dhe torturat nuk arritën ta lëkundnin bindjen e tij.
Përkundrazi, ato e forcuan edhe më shumë në rrugën e angazhimit kombëtar.
Me ndryshimin e rrethanave politike në Kosovë, në vitin 1991 iu rikthye profesionit të mësuesit, të cilit i qëndroi besnik deri në pensionimin e tij në vitin 2010.
Ymer Latifi ishte ndër nismëtarët e parë të organizimit politik në zonën e tij gjatë viteve ’90, duke kontribuar në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Njëkohësisht, ai mori pjesë aktive në pajtimin e gjaqeve dhe në forcimin e unitetit shoqëror, përkrah personaliteteve të njohura të kësaj lëvizjeje.
Veprimtaria e tij kombëtare nuk u kufizua vetëm në angazhimin politik.
Ai mbajti lidhje të vazhdueshme me veprimtarë të çështjes kombëtare dhe kontribuoi në përhapjen e literaturës ilegale shqipe, duke ndihmuar në ruajtjen e ndërgjegjes kombëtare në një kohë kur çdo veprim i tillë dënohej rëndë.
Në prag dhe gjatë luftës çlirimtare, shtëpia e Ymer Latifit u bë vatër e veprimtarisë atdhetare.
Ai frymëzoi brezin e ri që t’i bashkohej luftës për liri, ndërsa dy djemtë dhe vajza e tij morën pjesë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fjalët e tij se “liria nuk fitohet pa gjak” mbetën udhërrëfyese për shumë të rinj të zonës.
Shtëpia e familjes Latifi në Pogragjë u shndërrua në një bazë të rëndësishme për luftëtarët e UÇK-së, të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.
Për këtë kontribut, familja u nderua me mirënjohje të shumta, ndër to edhe nga komandanti Mustafë Shaqiri – Shpejtimi.
Pas luftës, Ymer Latifi vazhdoi angazhimin e tij në jetën politike, duke qenë kryetar i parë i nëndegës së Partisë së Progresit Demokratik në Pogragjë dhe fshatrat përreth.
Pas dy mandatesh, u tërhoq vullnetarisht, me bindjen se drejtimin duhej ta merrnin brezat e rinj.
Jeta e Ymer Latifit ishte shembull i përkushtimit ndaj arsimit, atdheut dhe lirisë.
Ai i shërbeu vendit jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, duke e vënë veten dhe familjen e tij në shërbim të çështjes kombëtare.
Kontributi i tij mbetet pjesë e rëndësishme e kujtesës historike të Anamoravës dhe e historisë së rezistencës shqiptare./Mediafokus

