Rusët qëllojnë në drejtim të anijes britanike

Moska thotë që një anije ushtarake ruse ka qëlluar në drejtim të anijes britanike HMS, e cila ishte futur në ujërat territoriale ruse në Detin e Zi, raporton “The Guardian”.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një predhat paralajmëruese ishin lëshuar nga anija luftarake, por edhe nga një avion ushtarak që kishte hedhur bomba në itinerarin e anijes britanike.

Anija britanike u largua nga ujërat ruse menjëherë, pasi sipas raportimeve ishte futur rreth 3 kilometra brenda kufijve rusë. Incidenti ka ndodhur në veriperëndim të Detit të Zi.

“Destrojeri britanik u paralajmërua që do të përdoreshin armët nëse kalonte kufirin e Federatës Ruse, por nuk reagoi pas paralajmërimit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Atasheu britanik në Moskë është thërritur në Ministrinë e Mbrojtjes për të dhënë shpjegime pas incidentit.

Destrojeri britanik është duke kryer stërvitje ushtarake bashkë me anije holandeze dhe amerikane në Detin e Zi, një operacion që është pjesë e mbështetjes për Ukrainën, pas rreshtimit të trupave ruse në kufirin me këtë të fundit.