Seanca e jashtëzakonshme për votimin e Presidentit mbahet sot

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka grumbulluar sot nënshkrimet e nevojshme për të thirrur seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të votohet për zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Siç mëson T7, Vetëvendosje ka grumbulluar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës ku do të votohet për Vjosa Osmanin si shefe e shtetit.

Ka mbetur të definohet vetëm ora kur do të mbahet seanca e Kuvendit.

Për ta zgjedhur Osmanin presidente, Vetëvendosje duhet t’i sigurojë votat e plota të LDK, por është pikëpyetje nëse votën e tyre do ta japin Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj, sikurse nuk është e sigurtë as vota e Behgjet Pacollit.

Pa këta emra, VV do t’i ketë vetëm 79 vota, të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë në kuti duhet të jenë 80 vota, për të qenë procesi i vlefshëm.

Para pak minutash ka përfunduar seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës.