Selajdin Jerliu – Coli do të mbetet përherë pjesë e historisë së futbollit kosovar si një mbrojtës i pakalueshëm dhe sportist shembullor

Shkruan: Ismajl Veliu

Selajdin Jerliu – Coli është një nga figurat më të njohura dhe më të respektuara të futbollit në qytetin e Gjilanit.

Karrierën e tij futbollistike e filloi që në moshë të re, si junior i klubit “Crvena Zvezda” (Ylli i Kuq) i Gjilanit, ku luajti nga viti 1982 deri në 1984, duke treguar talent, disiplinë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Në sezonin 1984/85, ai kaloi si huazim te KF Drita, ku për një vit fitoi përvojë të vlefshme dhe vazhdoi zhvillimin e tij si futbollist.

Në vitin 1986 u rikthye te Ylli i Kuq, ku luajti si futbollist senior deri në vitin 1990.

Në atë periudhë, klubi garonte në Ligën e Dytë Federative të Jugosllavisë, një nivel mjaft konkurrues i futbollit të kohës.

Coli njihej si një nga qendërmbrojtësit më të mirë në Kosovë dhe më gjerë.

Me lojën e tij të sigurt, ndërhyrjet e sakta dhe mbrojtjen e fortë, ai ishte një pengesë e madhe për sulmuesit kundërshtarë.

Shpesh ekipet rivale e kishin shumë të vështirë të depërtonin në repartin ku ai ishte lider.

Në vitin 1991, Selajdin Jerliu iu bashkua klubit Teteks nga Tetova, ku luajti deri në vitin 1992.

Më pas, gjatë viteve 1993–1994, ai vazhdoi karrierën në Gjermani, duke fituar përvojë edhe në futbollin evropian.

Pas kthimit në Kosovë, ai u bë pjesë e KF Gjilani nga themelimi, ku la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit.

Si një nga qendërmbrojtësit kryesorë të ekipit, ai kontribuoi në sukseset e klubit, ndërsa kulmi i karrierës së tij ishte sezoni 1999/2000, ku si kapiten i KF Gjilani fitoi Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e klubit.

Coli vazhdoi si lojtar edhe në Klubin Futbollistik Shkëndija, ku i solli klubit suksese në Ligën e Parë të Maqedonisë.

Me një karrierë që zgjati më shumë se katër dekada në futboll aktiv, Selajdin Jerliu – Coli mbetet shembull i përkushtimit, profesionalizmit dhe dashurisë për sportin.

Në vitin 2017, ai i dha fund karrierës aktive si futbollist, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe duke fituar respektin e tifozëve, bashkëlojtarëve dhe kundërshtarëve.

Emri i Selajdin Jerliut – Colit do të mbetet përherë pjesë e historisë së futbollit gjilanase kosovar e më gjerë, si një mbrojtës i pakalueshëm dhe sportist shembullor.