Selmani: Shteti të tregojë grushtin dhe të mbrojë liqenin e Badocit
Paralajmërimet për ndërtimin e një kompleksi vilash te liqeni i Badocit kanë nxitur reagimin e ish-deputetes, Myzejene Selmani, e cila ka bërë thirje për ndalimin e kësaj ideje.
Ajo ka kërkuar që shteti të tregojë grushtin dhe të mbrojë liqenin e Badocit.
Në një shtet me demokraci funksionale dhe sundim të ligjit, menjëherë institucionet përgjegjëse do të reagonin rreth idesë për ndërtimin e një kompleksi villash në të vetmen pjesë të mbetur natyrore, Liqeni i Badocit.
Ka shumë arsye pse institucionet përkatëse duhet të vëhen në mbrojtje të kësaj pjese, ku përveç të vetmit burim të ujit me të cilën furnizohen qytetarët e vendit, duhet menduar më shumë edhe tek ndotësit e ujit si pasojë e çfarëdo ndërtimi.
Me ligjin aktual dhe udhëzimet administrative që përcaktojnë qartë mbrojtjen sanitare të burimit të ujit, asnjë objekt nuk mund të ngritet përreth Liqenit të Badocit.
Shteti duhet të tregojë grushtin e të mos lejojë degradimet.
Sot liqeni i Ujmanit është më i mbrojtur se sa Badovci.
Nëse fillon një kompleks ndërtimi, atëherë kjo do të jetë arsyeja edhe shumë ndërtimeve tjera, deri në shkatërrimin e plotë të liqenit të Badocit.
Komuna duhet menjëherë të evidentojë gjithë pronën publike e të mos lejojë tjetërsimin e saj në pronë private përmes rrugëve ilegale, ka bërë thirrje Selmani.
Prandaj, thotë Selmani, të mos lejojmë në asnjë mënyrë degradimin në çfarëdo forme të këtij liqeni./Mediafokus/

