Shaip Dubova deponoi mbi 2 mijë foto të krimeve serbe në Kosovë

Fotografi shqiptar Shaip Dubova, i cili ndërroi jetë sot nga Covid-19, i kishte parë me sytë e tij mbi 2 mijë foto të krimeve të forcave serbe, nga Suhareka deri në Kamenicë, të cilat si peng lufte, ai ishte detyruar t`i punonte në dyqanin e tij në Gjilan.

Ky është rrëfimi i Shaip Dubovës, i dhënë para shumë vitesh, që ribotohet sot, në nderim të kontributit të tij për ndriçimin e krimeve të luftës:

“Kam parë foto duke ekzekutuar shqiptarë me kokë në cung, kam parë një person me sëpatë në dorë, duke u përpjekur të mbrohet nga paramilitarët, kam parë viktima pa duar, pa këmbë, ka gjenitale”.

Të gjitha këto foto ai i kishte ruajtur me shumë rrezik dhe pas luftës i ka dorëzuar në OSBE, por nuk di se çka ka ndodhur me to.

Dubova thotë se forcat serbe e kishin detyruar me dhunë që të punojë për ta, nga data 9 maj 1999 deri në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s.

Ai ka zhvilluar mbi 2 mijë foto, gjithnjë nën vërejtjen nga policët që i rrinin me armë sipër kokës “po gabon diçka”.

Thotë se ka parë foto të krimeve edhe në Zhegër, në Zhegovc, Vërbicë dhe vendeve tjera.

Më së rëndi është ndjerë kur i ka parë të vrarë e të masakruar personat që i ka njohur.

“Kam parë foto ku paramilitari shihet duke e vrarë viktimën”, thotë ai.

Në rrezik për të lënë kokën, ai ka arritur që të ruaj ekzemplarë të fotove. Mban mend se fotot e para që i ka zhvilluar, kanë qenë nga masakra e Krushës dhe vrasjet në Zhegër.

Me sa ka mundur të kuptojë nga policët serbë, të gjitha këto foto, në 7 kopje, dërgoheshin në Beograd./Mediafokus.info