Krimin në Gosponicë vazhdon ta mbulojë errësira prej 21 vitesh

Njëzetenjë vjet më parë, kur Kosova digjej flakë dhe UÇK bashkë me aleatët po u jepnin goditjen e fundit ushtrisë pushtuese serbe, më 29.05.1999, Gosponicën e rrethon një grup paramilitarësh (afërsisht 15 deri 18 veta).

Në fshat kishin mbetur vetëm edhe dy familje, ajo e Rahim Nuhiut dhe Metush Fejzullahut si dhe Ibrahim Fejzullahu që kishte atë natë kishte qëlluar te mixha i tij Metushi.

Pasi që nuk hasin në rezistencë të armatosur, fillojnë bastisjet, plaçkitjet, maltretimet… Aty verifikojnë dhe kontrollojnë Ibrahim Fejzullahun, i cili kishte me vete ca dëshmi se ishte veprimtar dhe pjesëtar i UÇK-së (kishte bërë edhe përgatitjet në Shqipëri).

Kapet fytas dhe pas një rezistence të pabarabartë, një grup nga paramilitarët e qesin pas shtëpive, ku së pari e plagosin dhe më vonë e masakrojnë.

Aty mbetet i vrarë Ibrahim Fejzullahu, i cili si tregtar që ishte, e shkriu gjithë pasurinë për çështjen kombëtare. Ai po ashtu ka merita për transportimin e Radios, që Ismet Bexheti i kishte falur UÇK-së, e cila nga Kleçka emitonte lajmet e fitoreve ndaj forcave serbe.

Kontributet e Ibrahimit me siguri do të ndriçohen në një monografi që do të shkruhet për te në të ardhmen.

Më vonë vazhdon “Dita e Bartolomeut”, kalvari i maltretimeve ndaj dy familjeve të Rahim Nuhiut dhe Metush Fejzullahut.

Rahimi nga rrahjet mbetet i vdekur, sepse nuk mundet t’iu rezistojë dhembjeve, ishte në moshë të shtyrë!

Në kohën e mbetur, tërë ditën i maltretojnë Metushin me gruan, djemtë dhe vajzën.

“Kemi parë tmerrin me sy. Ua dhashë ca pare që kisha, i luta të m’i lëshonin djemtë sepse ishin të ri. Ishte shumë vështirë t’i shihje me sy duke i futur në puse, duke i nxjerrë para pushkatimit, duke i rrahur…

Ne shpëtuam disi, por kushëririn Rahimin e mbytën dhe e hodhën nga kati i dytë i shtëpisë, si dhe djalin e vëllait-Ibrahimin, i cili kishte dalë për aktivitetin e tij dhe të na hiqte nga këtu, sepse disa vëllezër e kushërinj të tjerë më herët veç ishin larguar.

Kemi mbetur me trauma të mëdha, në varfri, pa punë e perspektivë. Pushtetarët dalin nganjëherë për t’i kërkuar ca vota. Por po na mban shpresa se ndonjë ditë do të bashkohemi me Kosovën, sepse nga Serbia deri tani kemi fituar vetëm varre sa herë që kanë qenë kohëra konfliktesh e luftërash…”- përfundon xha Metushi.

Në Gosponicë, në çdo luftë janë bërë masakra, por kësaj radhe kur bota funksionon ndryshe, pse askush deri më sot nuk kërkoi nga pushtetarët e Serbisë që të jepet përgjigje se kush ishte ai grup paramilitarësh kriminelë, që masakroi gosponicasit, kush ishte ai formacion që një kohë të gjatë kishte operuar në fshatrat e malësisë së Preshevës dhe Gjilanit dhe kishte vrarë madje edhe gra dhe fëmijë?

Pse asnjë herë nuk u ngrit një akuzë në organet e drejtësisë së Serbisë?

Pra gosponicasit përveç që përkujtojnë martirët, kërkojnë përgjigje në ndriçimin e ngjarjes së asaj dite, që kriminelët (me ta ishte edhe një shqipfolës) të marrin dënimin e merituar, kërkojnë më në fund drejtësi.

/Nijazi Aliu/mediafokus.info