Shalqiri, pjepri e speci po mbesin në ara – fermeri kërkon ndërhyrje urgjente për krizën e çmimeve
Fermeri nga Malësia e Vogël e Rahovecit, Murat Morina, u ka bërë thirrje institucioneve lokale dhe qendrore që të ndërhyjnë urgjentisht për të adresuar vështirësitë me të cilat po përballen fermerët për shkak të çmimeve të ulëta dhe mungesës së tregut për prodhimet bujqësore.
Morina, përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Qeverisë në detyrë, ka thënë se fermerët po përballen me një prej situatave më të vështira të viteve të fundit.
Sipas tij, prodhimi bujqësor ka arritur në fazën e vjeljes, por çmimet aktuale nuk po i mbulojnë kostot e prodhimit, duke bërë që një pjesë e produkteve të mbeten në ara, raporton Telegrafi.
“Shalqiri po mbetet në ara. Pjepri po përballet me të njëjtën gjendje. Specat po piqen dhe po skuqen në ara, ndërsa fermerët në shumë raste nuk po e shohin të arsyeshme as t’i mbledhin, sepse çmimi nuk po mbulon shpenzimet e punës dhe të transportit”, ka thënë Morina.
Ai ka theksuar se fermerët kanë investuar për muaj të tërë në prodhim, duke përfshirë farën, plehun, preparatet bujqësore, ujitjen, naftën, sistemet e ujitjes, punëtorët dhe transportin.
“Një fermer nuk ka investuar vetëm farën. Ai ka shpenzuar për farë, pleh, preparate, ujitje, naftë, sistem të ujitjes, punëtorë, transport dhe mirëmbajtje. Ka marrë borxhe dhe ka rrezikuar kursimet e familjes së tij”, është shprehur ai.
Morina ka ngritur shqetësimin edhe për luhatjet e shpejta të çmimeve në pikat grumbulluese, duke thënë se fermerët nuk kanë mundësi të planifikojnë prodhimin dhe shitjen.
“Nuk është e drejtë që fermerit t’i ofrohet një ditë një çmim prej 60 centësh për kilogram, ndërsa menjëherë pas kësaj çmimi të zbresë në 30 centë, kur prodhimi është mbjellë, rritur dhe është gati për treg”, ka deklaruar ai.
Ai ka kërkuar nga Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec që shqetësimet e fermerëve t’i adresojë me urgjencë tek Ministria e Bujqësisë dhe institucionet qendrore.
Në mesin e kërkesave të tij janë masa urgjente për prodhimet që po mbeten pa treg, mbështetje financiare për fermerët që po pësojnë humbje, rritje të kontrollit dhe transparencës në pikat grumbulluese, si dhe masa për parandalimin e manipulimit me çmime, shkruan Telegrafi.
Po ashtu, ai ka kërkuar krijimin e një mekanizmi që do t’u mundësonte fermerëve një çmim minimal të arsyeshëm dhe më të qëndrueshëm për prodhimet e tyre.
Ai ka paralajmëruar se, nëse nuk merren masa, kriza e tregut mund të ndikojë në vazhdimin e veprimtarisë së fermerëve.
“Sot është shalqiri, pjepri dhe speci. Nesër mund të jetë një kulturë tjetër. Nëse nuk merren masa tani, shumë fermerë mund të detyrohen të heqin dorë nga bujqësia”, ka përfunduar Morina. /Telegrafi

