SHBA-ja kryen sulme të reja ndaj Iranit pasi Teherani mbyll Ngushticën e Hormuzit

Shtetet e Bashkuara kanë nisur një valë të re sulmesh ushtarake në orët e para të 12 korrikut kundër Iranit, pasi Teherani deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe forcat iraniane goditën një anije kontejner me flamur të Qipros, duke përshkallëzuar tensionet në një nga rrugët ujore më strategjike në botë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se ka nisur një rund të tretë sulmesh këtë javë, pasi trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) sulmuan anijen M/V GFS Galaxy teksa ajo po kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit.

“Një anëtar civil i ekuipazhit është i zhdukur dhe anija nuk është në gjendje të vazhdojë udhëtimin për shkak të një zjarri në bord dhe dëmtimeve të konsiderueshme në dhomën e motorëve”, tha CENTCOM përmes një deklarate.

“SHBA-ja po i vendos Iranit një kosto të lartë, duke vazhduar t’ia dobësojnë aftësinë për të sulmuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë lirshëm përmes ngushticës”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se sulmet po kryhen me urdhër të presidentit amerikan, Donald Trump.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, e vuri në pah mesazhin e Uashingtonit me një postim në rrjetet sociale, ku shkroi: “Irani bëri një zgjedhje të keqe. Tani po e paguan çmimin”.

Një zyrtar i lartë amerikan u tha gazetarëve se forcat amerikane kanë goditur radarët iranianë të vëzhgimit ajror, sistemet e mbikëqyrjes detare, objektet për ruajtjen e raketave dhe dronëve, vendet nga ku lëshohen raketat dhe dronët dhe raketahedhësit tokë-ajër, me qëllim që të dobësojë kapacitetet ushtarake të Teheranit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në jug të Iranit pas sulmeve. Transmetuesi shtetëror IRIB njoftoi se u dëgjuan tri shpërthime në Bandar Abas dhe dy në Sirik, ndërsa shpërthime të tjera u raportuan edhe në ishullin Keshm, që të gjitha afër Ngushticës së Hormuzit.

Irani mbyll rrugën ujore, paralajmëron hakmarrje

Operacioni i fundit amerikan vjen pasi Irani kreu një nga lëvizjet më kyç në konfrontimin me Uashingtonin: mbylli Ngushticën e Hormuzit deri në një njoftim të dytë.

Në një deklaratë të transmetuar nga IRIB, marina e IRGC-së tha se disa anije kishin tentuar të kalonin përmes ngushticës duke përdorur atë që e përshkroi si një “rrugë të paautorizuar” ose “”ë pamiratuar”, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura.

“Një anije, që rrezikoi sigurinë detare duke fikur sistemet e saj, u godit dhe u detyrua që të ndalej”, tha IRGC-ja, pa e identifikuar anijen.

IRGC-ja bëri të ditur se një anije u godit fillimisht me atë që e përshkroi si një “të shtënë paralajmëruese”, përpara se të ndalohej.

“Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë dhe deri në përfundimin e ndërhyrjeve amerikane në këtë zonë. Asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë”, u tha në njoftimin e Gardës Revolucionare të Iranit.

IRGC-ja paralajmëroi se çdo veprim i mëtejshëm ushtarak kundër Iranit do të shkaktojë një “përgjigje të ashpër”, duke paralajmëruar se mund të goditen edhe baza të tjera ushtarake në rajon.

Ndërkohë, Organizata e Mbretërisë së Bashkuar për Tregtinë Detare (UKMTO) njoftoi se ka pranuar një raport për një incident nëntë milje detare larg brigjeve të Omanit.

“Autoritetet ushtarake kanë raportuar se një anije kontejner ka pësuar dëmtime në pjesën e pasme të saj, duke shkaktuar një zjarr në bord”, tha UKMTO.

Raporti i organizatës për siguri detare përputhet me njoftimin e CENTCOM-it, sipas të cilit anija me flamur të Qipros ka pësuar dëmtime të mëdha dhe nuk është më në gjendje të vazhdojë udhëtimin.

Përpjekjet diplomatike

Përshkallëzimi ushtarak vjen në kohën kur përpjekjet diplomatike në Oman duket se po dështojnë.

Sipas Teheranit, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u takua me ministrin e Jashtëm të Omanit, Sayyid Badr Albusaidi, për të diskutuar mekanizmat për garantimin e lundrimit të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Më herët, Omani kishte bërë të ditur se diskutimet me Iranin do të vazhdonin si në nivel teknik, ashtu edhe politik, me synimin për të arritur marrëveshje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për lundrimin në këtë rrugë ujore.

Në këto bisedime nuk morën pjesë zyrtarë amerikanë./rel