SHBA-ja miraton vaksinën e Johnson & Johnson

Rregullatori për barna në Shtetet e Bashkuara ka miratuar për përdorim vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Johnson & Johnson. Kjo vaksinë administrohet përmes një doze të vetme.

Kjo është vaksina e tretë që është miratuar në SHBA kundër koronavirusit, pasi në këtë shtet tashmë janë miratuar për përdorim vaksina e Pfizer/BioNTech dhe ajo e kompanisë Moderna.

Vaksina Johnson & Johnson thuhet se është më e lirë se dy vaksinat e tjera që po përdoren në SHBA dhe po ashtu mund të ruhet në frigoriferë normalë dhe jo në temperatura ultra të ftohta.

Kjo vaksinë prodhohet nga firma belge, Janssen.

Sipas studimeve, kjo vaksinë është 66 për qind efektive ndaj sëmundjes COVID-19. Kompania është pajtuar që ta furnizojë SHBA-në me 100 milionë doza deri në fund të qershorit. Dozat e para për publikun amerikan pritet të jenë të qasshme javën e ardhshme. Edhe Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë porositur doza të kësaj vaksine dhe 500 milionë doza gjithashtu janë porositur për programin COVAX.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mirëpritur këtë lajm “inkurajues”, por i ftoi amerikanët që të vazhdojnë të respektojnë rregullat kundër pandemisë, siç është mbajtja e distancës, mbajtja e maskës dhe protokollet e tjera shëndetësore, transmeton rel.

“Siç e kam thënë edhe herë të tjera, situata mund të përkeqësohet sërish teksa variantet e reja po përhapen dhe përmirësimi i situatës që kemi tani, mund të ndryshojë”, tha presidenti Biden.