Sherif Sherifi, minatori që ra duke luftuar për lirinë e vendit

(Mes dhembjes dhe krenarisë)

Liria ashtu sikur edhe dituria kanë çmim të shtrenjtë. Liria i ka rrënjët ne gjakun e dëshmorëve.

Familja Sherifi ka sakrifikuar gjenerata me radhë duke dhënë dëshmorë sa herë atdheu e ka rënkuar.

Sherif Sefë Sherifi ishte i fundit nga familja i cili ra herokisht e sypatrembur duke i falë jetën atdheut që ne sot të jetojmë e frymojmë lirshëm në Kosovën e pavarur.

Si çdo përvjetor edhe ky përvjetor, natyrshëm na sjellë emocione ngase na kthen mbrapa në kohë, duke kujtuar atë ditë 15 Prilli 1999, kur forcat okupatore të regjimit serb mësyen malësinë e Zhegocit, me qëllim të shfarosjes së popullatës civile dhe shpartallimit të UCK-së e cila kishte shtabin dhe komandën e saj në fshatin Zhegoc.

Familja Sherifi kishte dhënë dëshmorë çdo herë kur atdheu kërkonte, duke filluar nga viti 1877 e deri me luftën e fundit në vitin 1999.

Duke filluar me të parin e fisit Aliun, i cili kishte rënë në vitin 1877 në luftën e Plevnës në Bullgari si ushtar i mbretit, duke vazhduar me vargun e të rënëve, ku stërgjyshi i gjyshit tim Mustafë Sherifi kishte rënë në luftën e Sanxhakut të Nishit gjatë pastrimit etnik të territoreve shqiptare nga okupatori shekullor serb.

Gjyshi i babgjyshit tim Sherifi po ashtu dha jetën duke luftuar në luftën e Kumanovës në vitin 1913 kundër forcave serbe.

Babai i gjyshit tim Sefë Sherifi bie në frontin e Dalmacisë si ushtar i mobilizuar me dhunë.

Ai ishte pjesamarrës në luftën për çlirimin e Preshevës dhe Bujanocit.

Dhe i fundit nga familja jonë bie dëshmor për mos të vdekur kurrë Xhaxhai Sherif Sherifi me 15 prill 1999 në epopenë e Zhegocit.

Sherif Sherifi u lind më 07.05.1943 nga nanë Shahadija dhe babai Sefë Sherifi nga fshati Verbicë e Zhegocit komuna e Gjilanit, të cilët si çift kishin 5 fëmijë, dy djemë dhe tri vajza.

Sherifi u lind në një familje e shquar me vlera morale e kombëtare me një dashuri për atdheun të trashëguar brez pas brezi nga të parët e familjes.

Meqë prindi i tij Sefa ra në frontin e Dalmacisë duke e lënë Sherifin shumë të vogël, ai rritet jetim për të cilin kujdeset vëllau i tij më i madh Smajli, ngase edhe nëna i vdes shumë e re si pasojë e torturave dhe dhunës fizike të ushtruar mbi të nga pushteti fashist serb gjatë aksionit të mbledhjes së armëve gjatë viteve 1955/56.

Gjyshja Shahë vdes në moshë shumë të re pas dhunës së rëndë fizike dhe psikike të ushtruar ndaj saj duke e futur nën akull në atë dimër të acart me arsyen për të treguar armët e burrit.

Sherifi pas mbarimit të shkollimit fillor fillon të merret me punë të fshatit kryesishtë me bujqësi e blegtori deri sa kur arrinë moshën madhore në vitin 1978 ai punësohet në minierën e Artanës (Novobërdës) në Artanë.

Aty si minator duke punuar nën masa të dhunshme e presion nga pushteti egë serb.

Ai ishte po ashtu pjesëmarrës në grevën e organizuar në nivel Kosove nga minatorët e gjitha minierave në Kosovë duke kërkuar kështu të drejtat dhe liritë elementare të njeriut.

Me pagën që merrte ai kujdesej për familjen dhe shkollimin e fëmijëve të tij.

Aty punon deri në vitin 1989 atëherë kur dëbohen dhunshëm nga puna të gjithë të punësuarit shqiptare.

Me të filluar lufta dhe mobilizimi UÇK-së, Sherifi e pa të rrugës dhe ndjeu obligim moral e kombëtar ndaj atdheut që të angazhojë djalin e tij Sabedin Sherifi në UÇK, shtabin e zonës në Zhegoc, duke kryer aty punën e teknikut mjekësor e duke shëruar plagët e lirisë të shumë luftëtarëve të cilët vinin të plagosur nga vijat e frontit.

Sherifi njihej edhe për punë dore e vepra arti të punuar nga druri e të cilat flaka e luftës i mori të gjitha duke humbur kështu çdo gjë që ai kishte ndërtuar nga duart e tij.

Për më shumë, edhe pse në moshë paksa të shtyer, Sherifi edhe vet angazhohet në organizimin e luftës për çlirim, ai kyqet në pikën 1 të UÇK-së në lagjen e tij të cilën e komandonte Shaban Beqiri.

Sherifin së bashku me ushtarët e kësaj pike ofenziva e 15 prillit i gjeti në istikame të palëkundur deri në flijim.

Sherifi bie dëshmor më 15 prill, ditë e enjte 1999, në Verbicë të Zhegocit, gjatë ofensivës të po kësaj dite ndërmjet një okupatori i cili ishte i armatosur deri në dhëmbë me armë e makineri luftarake dhe UÇK-së e cila po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe idealin për të jetuar të lirë dhe pavarur në tokën të cilën na fali i madhi Zot e të cilën e kemi amanet të mbrojmë sa të jemi gjallë brez pas brezi.

Ai la pas vete gruan me 5 fëmijë e një kallabllëk nipa e mbesa./Blerim Sherifi