Ai nuk ndërtoi vetëm një karrierë, ndërtoi karakter, respekt dhe besim kudo që punoi – dedikim për mjekun Jashar Ramadani

Është pensionuar në Gjilan mjeku i njohur Jashar Ramadani.

Gjatë një karriere të gjatë dhe me peshë të veçantë institucionale, Dr. Jashar Ramadani ka ushtruar funksione të larta drejtuese dhe profesionale në sektorin publik dhe atë shëndetësor, duke mbajtur ndër të tjera detyrën e Drejtorit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për dy mandate, ku me donacione të huaja, arriti të ndërtojë 16 objekte shëndetësore, kryesisht QMF.

Ka udhëheq Shërbimin e Vaksinimit, ka qenë anëtar i Akademisë Amerikane të Mjekëve Familjarë, Menaxher i Trajnimeve për Shëndetësi në kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Trajner dhe Vlerësues në procese të vlerësimit të provimit specialistik të Mjekësisë Familjare në kuadër të QZHMFK dhe British Medical Royal College, si dhe Shef i Kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes për dy mandate, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kontributi i tij nuk është kufizuar vetëm në kohë paqeje, gjatë periudhave më të vështira për vendin, ai ka dhënë një angazhim të çmuar edhe në rrethana lufte, duke vënë dijen, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

I  biri i tij Taulanti, gjithashtu mjek, ka bërë një dedikim të veçantë për të:

Sot, është një moment që mban peshën e një jete të tërë pune, sakrifice dhe dinjiteti.

Pas shumë viteve përkushtim të palëkundur, babai im mbyll një kapitull që nuk matet me kohë, por me vlera.

Ai nuk ndërtoi vetëm një karrierë – ndërtoi karakter, respekt dhe besim kudo që shkoi.

Çdo ditë e tij ishte përgjegjësi, çdo fjalë e tij ishte e matur, dhe çdo veprim i tij ishte shembull.

Ai nuk na mësoi vetëm si të jetojmë, por si të qëndrojmë të fortë, të drejtë dhe me kokën lart në çdo rrethanë.

Për kolegët ishte njeri që nuk zëvendësohet lehtë.

Për familjen është themeli që nuk lëkundet kurrë.

Për mua është standardi që do ta ndjek gjithë jetën.

Sot nuk po të themi “mbarove”, por “fituar ke”. Ke fituar respektin, dashurinë dhe krenarinë tonë të përjetshme.

Tani fillon një kapitull i ri – më i qetë, më i lirë, por po aq i madh sa gjithçka që ke ndërtuar deri sot.

Urime pensionimin, bab.

Jam pafundësisht krenar me ty.

Jashar Ramadani është i lindur me 12.04.1961 në fshatin Zhegër të Gjilanit. Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme e ka mbaruar në Universitetin e Beogradit, ku më pas vijoi specializimin në Pediatri si dhe magjistraturën, për të vazhduar pas luftës të punojë në repartin e Neonatologjisë në Spitalin Regjional të Gjilanit.

Specializimin e Mjekësisë Familjare e mbaroi në Universitetin e Prishtinës./Mediafokus