Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Fatmira Hajdari, bashkëshortja e liderit të demokracisë, Azem Hajdari

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Fatmira Hajdari, bashkëshorten e ish-liderit të demokracisë në Shqipëri, Azem Hajdari, pasi nuk arriti të kalojë vetingun.

“Vendim i pritshem” ka thene vete gjyqtarja Hajdari, e cila ishte e pranishme ne seancen e sotme, fill pas dhenies se vendimit per shkarkimin e saj nga detyra, shkruan panormama.com.al

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Hajdari u përball në KPK me një sërë pyetjesh mbi transaksionet me pronat, me ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për një bilanc negativ që shkon më shumë se 52 milionë lekë, sipas analizës financiare për të ardhurat dhe shpenzimet të bërë nga Komisioni.

Hajdari, e cila u vlerësua vetëm në dy kritere, u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.

Gjyqtarja Hajdari bëri tre mbrojtje të ndryshme për të kundërshtuar gjetjet në një seancë që zgjati 4 orë. Një përmes avokatit Maks Haxhia, i cili u përpoq të justifikonte juridikisht pse revokimi i vizës nuk ishte refuzim hyrje. Një të dytë përmes avokates Ilira Dane, që përshkroi në detaje kundërshtimet mbi gjetjet në kriterin e pasurisë.

“Jam e pastër, nuk e kam shkelur ligjin”, tha Hajdari gjatë fjalës së saj në seancë dëgjimore.

Fatmira Hajdari, e cila është e veja e Azem Hajdarit deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’ i vrarë në vitit 1998.

Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, funksion të cilin e mban edhe aktualisht./mediafokus.info