Shqipëria heq nga tregu salsiçet e pranishme edhe në tregun tonë, zbulohet një bakter i rrezikshëm

Një bakter i cili përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut është gjetur te salsiçet e markës “Wudy”, ka njoftuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri.

Salsiçet, të cilat gjenden edhe në tregun e Kosovës, janë testuar në Itali dhe pas rezultatit të analizave është konstatuar prani e “Listeria monocytogenes STI55”, transmeton Zeri.info.

Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) pas analizave laboratorike të kryera në Itali është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55 duke përbërë rrezik me ndikim serioz për shëndetin e njeriut, në produktin Wudy”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ata kanë kërkuar që të mos konsumohet ky produkt dhe të kthejnë produktin aty ku e kanë blerë.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas njoftimit të ardhur nga RASFF po ndërmerr të gjitha masat nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu. Kujdes konsumatorë! Mos i konsumoni këto produkte, kthejini pranë subjekteve ku i keni blerë!”, thuhet në njoftim.