Shqiptarët e Medvegjës e harrojnë 122-vjetorin e shkollës në Jabllanicë

Sot shkolla e Jabllanicës së Epërme shënon 122 vjetorin e themelimit. Rruga në të cilën kaloi arsimi shqiptar gjatë historisë së tij, ishte një rrugë shumë e vështirë, ai u zhvillua në kushtet e rënda të sundimit osman, serb e gjetiu.

Sundim ky që kishte vonuar së tepërmi zhvillimin normal ekonomik e shoqëror të shqiptarëve. Nuk është e rastit që në fillim të shekullit XX autor e udhëtar të huaj e quajnë në përgjithësi Shqipërinë si “skajin më të mjeruar të Evropës”.

Në gjendje akoma më të vështirë ishin edhe ata pak shqiptar që kishin mbetur në “Kosovën Lindore”. Gjatë sundimit osman shkollimi i fëmijëve shqiptar ishte i pakonsiderueshëm dhe bëhej kryesisht në shkollat fetare ne Leskoc, pastaj pas aneksimit të këtyre vendeve nga Serbia gjatë viteve 1877-1878 kjo gjendje akoma u vështirësua.

Më 10 shkurt të vitit 1899 në afërsi të Xhamisë në Sijarinë të Jabllanicës të Epërme në Medvegjë u hap shkolla e parë fillore për fëmijët shqiptar. Rruga deri tek hapja e kësaj shkolle ishte shumë e vështirë. Kontribut të jashtëzakonshëm në hapjen e kësaj shkolle dhanë Sahit Pasha nga Llapashtica, Halil Islami nga Svirca. Hysen Islami nga Boroci caktohet mësuesi mësuesi i parë shqiptar në këtë shkollë dhe në rajonin e Madvegjës.

Gjatë ekzistencës së kësaj shkolle, edhe pse nën regjimin serb, ligjet serbe nuk vlenin në funksionimin e kësaj shkolle. Përmendim faktin se prindërit nuk i lejonin fëmijët e tyre që ta mësojnë gjuhen, gjeografinë dhe historinë serbe. Kjo e dhënë konstatohet në raportin e datës 3 maj 1900, i të deleguarit të arsimit Zllatiqanin (profesor i Gjimnazit te Vrajës).

Kjo shkollë për katër dekada nxori kuadro nga më të shquara siç ishin Jusuf Ajeti, Zenel Hajdini(hero i popullit), Veli Dedi (luftëtar i Spanjës dhe gjeneral i ushtrisë shqiptare), Hajdar Xhema (specialist i psikiatrisë dhe neurokirurg i njohur në SHBA), Zeqir Bajrami (profesor i gjeografisë), Akademiku Idriz Ajeti, veteranët e arsimit: Ramiz Muharremi, Abaz Osmani, Zeqir Jakupi, Osman Murati, etj.

Shkolla për nxënësit shqiptar e ndërtuar në vitet e fundit të shekullit XIX, varësisht nga koha dhe rrethanat ishte institucioni nga më të rëndësishmit për shqiptarët e këtushëm, që me veprimtarin e saj, u bë digë e frenimit të shpërnguljeve të mëtejshme të shqiptarëve nga trojet e veta, të pengimit të asimilimit të heshtur dhe të ruajtjes historisë kulturën e traditën kombëtare shqiptare.

Për çudi kjo ditë e rëndësishme historike dhe arsimore nuk u shënua me asnjë aktivitet ose nuk pati asnjë iniciativë çoftë individuale për shënimin e saj nga shqiptarët e Medvegjës.

Ku janë sot, në këtë ditë të veçantë disa nga ata zhurmagji e folklorista të Medvegjës që vazhdimisht i hasë në rrjetet sociale duke u ankuar, duke kritikuar për çdo gjë dhe për asgjë.

Pse nuk ju ra ndërmend ta përkujtojnë e shënojnë ngjarjen më të rëndësishme historike dhe arsimore të arsimit shqip në Medvegjë dhe jo vetëm, e në anën tjetër në paraqitjet e tyre i thurin vetes lavdata duke i marrë meritat për çdo gjë edhe kur nuk e thonë të vërtetën.

A thua vallë edhe sot ata i pengoi Serbia që ta shënojnë ditën më të rëndësishme të arsimit shqiptar jo vetëm në Medvegjë por edhe më gjerë

Ndoshta mund të gabohem mirëpo e kam përshtypjen që mashtrimi dhe gënjeshtra ka marrë komoditet, ku i besojmë dhe jetojnë me aktet e “trimërive/patriotizmit” të disa individeve gjatë kësaj periudhe në të cilën po kalojnë shqiptarët e Medvegjës. Mashtrimi është rehatuar dhe shpërblyer me mirënjohje dhe dekoratat më të larta shtetërore për individin.

I nxitur nga ngjarja e cekur më lart nuk munda të përmbahem pa e shkru këtë reagim së bashku me shënimin e 122 vjetorit të hapjes së shkollës shqiptare në Medvegjë.

Shqiptarët e Medvegjes dhe gjithë trojeve shqiptare i kanë borgj Medvegjës dhe jo ajo neve./Nexhat Pireva/