Shqiptari nga Kosova shpëton një 41-vjeçar nga mbytja në Itali
Një shqiptar nga Kosova është vlerësuar për guximin dhe reagimin e tij të shpejtë, pasi ndihmoi në shpëtimin e një 41-vjeçari që rrezikonte të humbiste jetën në Trieste të Italisë, transmeton albinfo.ch.
Bëhet fjalë për Marash Palushajn nga Klina, i cili jeton dhe punon në Itali.
Ai ndërhyri menjëherë pasi pa një veturë që kishte rënë në det pranë skelës në Piazza Unità d’Italia, me shoferin ende të bllokuar brenda.
Pa hezituar, Palushaj u hodh në ujë dhe, së bashku me disa kadetë të Akademisë Ushtarake të Modenës, arriti ta nxjerrë drejtuesin e automjetit vetëm pak çaste para se vetura të fundosej plotësisht.
41-vjeçari mori ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas u dërgua në spital.
Sipas raportimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Veprimi i Marash Palushajt dhe i kadetëve është përshëndetur nga mediat dhe autoritetet italiane, të cilat i kanë cilësuar ata si “heronjtë e ditës” për ndërhyrjen e shpejtë dhe vendimtare që shpëtoi një jetë, shkruan albinfo.ch

