Shqiptarja merr çmimin zviceran për Studimin shkencor në lëmin e moshës

Luca bashkë me dy shkencëtare të tjera kanë marrë Çmimin Vontobel për hulumtimet e tyre mbi moshën, rigjenerimin e muskujve, parkinsonin, mirëqenien në pleqëri etj.

Edlira Luca është duke bërë postdoktoraturën në Spitalin Universitar të Cyrihut. Ajo me hulumtimet e saj jep një kontribut të rëndësishëm në të kuptuarit e problemit të humbjes së muskujve.

Luca bashkë me dy shkencëtare të tjera nga qytete të ndryshme të Zvicrës kanë marrë Çmimin Vontobel për hulumtimet e tyre mbi moshën, rigjenerimin e muskujve, parkinsonin, mirëqenien në pleqëri etj., shkuan lokalinfo.ch.

Bashkëpunëtorja shkencore 40-vjeçare, në cilësinë e postdoktorantes punon në Klinikën për Endokrinologji, Diabetologji dhe Ushqim Klinik në Spitalin Universitar të Cyrihut.

“Nga fëmijët e lindur në Zvicër vitin e kaluar, 1 në 4 vajza dhe 1 në 7 djem ndoshta do të jenë në gjendje të festojnë 100 vjetorin e lindjes”, thotë Luca, transmeton albinfo.ch. Por me kalimin e moshës të gjithë ne humbim muskujt e skeletit, midis muskujve formohen qeliza dhjamore.

“Nga mosha rreth 40 vjeçare, ne humbasim tetë për qind të muskujve skeletorë çdo dhjetë vjet”. Ky fakt shkakton probleme në lëvizje dhe çon në aksidente që përfundojnë në qëndrim në spital.

Ruajtja e pavarësisë në pleqëri

“Me kalimin e moshës ne e humbasim lirinë tonë për të lëvizur dhe për të qenë të pavarur. Për më tepër, humbja e muskujve rrit rrezikun e diabetit të tipit II tek personat mbi 65 vjeç. “Unë jam e interesuar të zbuloj arsyen përse qelizat dhjamore depërtojnë në muskuj ose nëse ka ndonjë lidhje midis shfaqjes së qelizave dhjamore dhe humbjes së muskujve në kohën që plakemi”, shprehet Luca.

Ajo shpreson të japë një kontribut në mënyrën se si mund të ruhet forca e muskujve dhe kështu të sigurohet pavarësia në pleqëri.

Edlira Luca ka marrë Çmimin Vontobel së bashku me dy shkencëtare të tjera për punën e tyre kërkimore (shih më poshtë). Në laboratorin e saj në Schlieren (Kantoni Cyrih), Luca ka shftrytëzuar metodat e fundit molekulare biologjike për të kuptuar rolin e një familje gjenesh në rigjenerimin e muskujve, përcjell albinfo.ch. Ajo përmes këtij eksperimenti arriti të tregonte se në ç`mënyrë një rrjet i sofistikuar prej pesë mikro-ARN-ve të ndryshëm rregullon komunikimin midis qelizës muskulore dhe botës së jashtme duke ndikuar kështu në formimin e indit të ri muskulor pas një dëmtimi.

Kështu, studimi i saj jep një kontribut të rëndësishëm për të kuptuar humbjen e muskujve me kalimin e viteve.

Tek njerëzit e moshuar, qelizat muskulore rigjenerohen më dobët, gjë që mund të rezultojë në forcë më të pakët muskulore dhe kufizime funksionale. Luca dhe ekipi i saj treguan se shprehja e gjenit ka përmirësuar ndjeshëm rigjenerimin e muskujve tek minjtë e moshuar. Rezultatet u konfirmuan gjithashtu në qelizat e muskujve të njeriut.

“Është një nder i madh për mua të marr këtë çmim”, thotë Luca e gëzuar. “Ne kemi punuar në këtë ide për kaq shumë kohë dhe na është dashur të kapërcejmë kaq shumë pengesa.”

“Unë e dua punën time”

Luca ka lindur në Shqipëri dhe është rritur në New York. Si fëmijë ajo ishte e interesuar për biologjinë. E sfidonte çështja se si funksionojnë qelizat dhe si komunikojnë organet me njëri-tjetrin. “Ndoshta kjo ndodhte për shkak se nëna ime është mjek edhe gjithmonë fliste me pasion për punën e saj”.

Luca ka dy djem të vegjël dhe jeton me burrin e saj – i cili është po ashtu mjek – në Cyrih, përcjell albinfo.ch. Dy fëmijët shkojnë në çerdhe fëmijësh.

Si ja del ajo që të kujdeset për fëmijët dhe të punojë njëkohësisht? “Është e vështirë, por unë e dua punën time”, thotë Edlira, e menduar.

Ajo shprehet se gëzon shumë mbështetje dhe inkurajim nga kolegët dhe eprorët e saj në kërkime. “Asnjëherë nuk jam ndjerë e diskriminuar për faktin sepse jam grua”.

“Qëkur Fondi Kombëtar Zviceran ka filluar mbështetjen e grave që duan të ecin përpara në punë shkencore, është bërë më mirë edhe nga ana financiare. Madje edhe kostoja e kujdesit për fëmijët merret parasysh në këtë mbështetje. Përndryshe, kostoja e çerdhes mund të paraqiste problem”.

Ndërkaq, siç thotë ajo, “më problematik duket të jetë opinioni shoqëror. Shumë veta akoma besojnë se rritja e fëmijëve është përgjegjësi vetëm e gruas. Është e rëndësishme t’u mësojmë të rinjve se ëndrrat dhe pasioni për punën u përkasin si burrave ashtu dhe grave, dhe se partneriteti nënkupton ndarjen e punëve të shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët”, thotë Luca.

Ajo është me fat që gëzon mbështetjen e partnerit, edhe në rastet kur ajo kalon më shumë kohë në laborator sesa ishte planifikuar, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. “Puna kërkimore është më shumë se një punë 100 për qind,” thotë Luca.

Ajo dhe burri i saj fillimisht kishin dashur të punonin vetëm përkohësisht në Zvicër. Por ata mbetën këtu. “Ne na pëlqen të jetojmë këtu, gjithashtu për shkak të maleve që i kemi pranë.”

Çfarë është Çmimi Vontobel për Hulumtimin e Moshës

Qendra për Gerontologji në Universitetin e Cyrihut jep çdo vit Çmimin për Studimet rreth Plakjes të ndarë nga Fondacioni Vontobel. Qëllimi është të promovohet kërkimi gjerontologjik në Zvicër në një larmi fushash shkencore dhe të rritet ndërgjegjësimi i publikut për çështjet që lidhen me plakjen në shoqëri.

Shpërblimi që arrin në 30,000 CHF u jepet talenteve të rinj të shquar shkencorë. Tri studiuese kanë marrë çmimin vitin e kaluar për punën e tyre në fushat e rigjenerimit të muskujve, Parkinsonit dhe mirëqenies në pleqëri: Edlira Luca nga Spitali Universitar i Cyrihut, Anne-Laure Mahul-Mellier nga EPFL Lausanne dhe Jenna Wünsche nga Universiteti i Bazelit.