Shtëpi e shqiptarëve muhaxhirë në Sopot

Jusuf Osmani

Gjatë hulumtimit të të dhënave për shqiptarët e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit më 1877/78 në territorin e Maqedonisë Veriore të sotme, javën e kaluar së bashku me arkivistin e mirënjohur, drejtuesin e Arkivit të Kumanovës, Vullnet Isenin, vizituam disa fshatra të trevës së Kumanovës.

Në fshatin Sopot, fshat në të cilin njësit partizane çetnike më 3 dhe 4 nëntor 1944 kishin vrarë e masakruar 64 banorë të fshatit, meshkuj (kishin shpëtuar vetëm dy persona të rritur, meshkuj). Këta ishin muhaxhirë, kryesisht nga treva e Masuricës, treva e Leskovcit etj. të cilët e kishin rithemeluar fshatin në vitin 1878, këtë vendbanim të vjetër shqiptarë, që dëshmohet me gjetjet arkeologjike.

Në fshat gjetëm një shtëpi gati e rrënuar, që sipas informatorit Shaban Masurica, veprimtar dhe luftëtar i këtij fshati është ndërtuar nga familjet muhaxhire para 140 viteve.

Gjatë vizitës së shtëpisë konstatuam se kjo shtëpi i kishte të gjitha elementet e një shtëpie të shqiptarëve që kishin jetuar më parë në trevat e Sanxhakut të Nishit, duke filluar nga materiali i ndërtimit (lloq me drunj), dyert, dritaret, dhomat, kuzhina, oxhaku, dollapët, vendi për ruajtje të bylmetit, trajtë e shtëpive etj.

Karakteristikë e kësaj shtëpie është se në vendin ku përgatitje ushqimi ishte i hapur një pus (bunar) që edhe sot ekziston.

Kjo ishte bërë për shkak të sigurisë. Këtë të dhënë nuk e kam konstatuar askund deri me sot në hulumtimet e gjata në terren në vendbanimet shqiptare, sidomos ato të banuara me popullatë muhaxhire.

Shtëpia nuk ishte nën përkujdesin e askujt. Ekziston rreziku që të rrënohet në tërësi. Kjo është një shtëpi unikate e trashëgimisë sonë kulturore, andaj organet kompetente të pushtetit lokal e qendëror duhet që sa më parë të kujdesën për te, ta vëjnë në ambrellën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Po ashtu apeloj edhe të pronarët që mos ta rrënojnë, sepse u deklaruan se po ekziston rreziku që vetvetiu të rrënohet dhe të lëndon ndonjë femijë.

Një dukuri shqetësuese për mua është se për vendbanimet me shqiptarë në trevën e Maqedonisë së sotme Veriore nga ana e studjesve shqiptarë nuk është shkruar asgjë. Ndërsa, në anën tjetër nga studjuesit maqedonas dhe serbë janë botuar me dhjetra vepra. Në ato vepra shkruhen shumë të pavërteta historike.

Shqiptarët trajtohen ardhacakë nga trevat e Shqipërisë së sotme administrative. Andaj, me gjuhën e fakteve duhet kundërvën dhe demantuar ato.

Duhet theksuar se me qindra vendbanime shqiptare por edhe të tjerë myslimane në Maqedoninë e sotme, popullata pas vitit 1912, në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, por edhe pas vitit 1945 deri në vitet e gjashtëdhjeta të shek. XX është shpërngulur kryesisht në Turqi. Ato vendbanime janë kolonizuar me popullatë maqedone, serbe e bullgare.

Një gjë e tillë ekziston edhe në territorin e sotëm të okupuara nga Greqia, ku fshatra të shumta të ish Vilajetit të Janinës dhe të Selanikut janë zbrazur në tërësi nga popullata shqiptare.