Shtohen ndjeshëm infektimet e reja me coronavirus në Shqipëri 

Pas tre ditësh me vetëm nga 4 raste infektimesh me coronavirus, në 24 orët e fundit është konfirmuar një rritje tejet e lartë e rasteve, në Shqipëri.

Shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, deklaroi se nga 191 testime të kryera në orët e fundit, janë konfirmuar 18 raste pozitive, të cilat janë kontakte të rasteve të mëparshme.

Shpërndarja e tyre është 11 në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe një në Durrës, ndërsa të shëruarit e raportuar janë gjashtë.

“Pavarësisht numrit të rasteve pozitive të identifikuara, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, por që tregon qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 898 qytetarë, ndërsa 77% e të prekurve tashmë janë të shëruar”, tha Tomini.

Në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si Tiranë 81; Krujë 47; Shkodër 16; Kamëz 12; Fier 5; Berat 5; Elbasan 2; Durrës 2; Kurbin 1; Mirditë 1 dhe Korçë 1.

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes.

Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në Shqiperi janë kryer 11769 testime, nga të cilat, 11239 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. “Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, deklaroi zyrtarja e ISHP./noa.a/Mediafokus.info/